Vdiq pacientja nga koronavirusi pasi nuk e kontrolluan në spital: Shkarkohet drejtoresha e spitalit të Ohrit
Drejtoresha e spitalit të Ohrit, Sllavica Maleska është shkarkuar pas rastit me gruan 66 vjeçare nga fshati Tatesh i Strugës, e cila vdiq nga koronavirusi ditë më parë, transmeton Gazeta Metro.
Edhe pse kishte gjendje të rënduar shëndetësore, Memlume Ibrahimi ndërroi jetë nga virusi korona, ndërkaq nuk është pranuar për kontroll në Repartin Infektiv në Ohër.
E për këtë gjë, nuk kanë zgjedhur të heshtin nga institucionet shtetërore, ku ministri Filipçe ka paralajmëruar kontroll në spital.
Siç raporton Alsat-M, dhëndri i gruas së ndjerë, Alil Tela, thotë se në spitalin infektiv të Ohrit, pacienten as që kanë dashur ta kontrollojnë.
Tela thotë se ndihmë kanë kërkuar edhe nga Spitali në Strugë edhe nga ndihma e shpejtë në Vevçan, por nga atje u kanë thënë se nuk janë kompetent.
Hetim për të ndjerën ka hapur edhe Prokuroria Themelore Publike në Ohër.
Të gjithë 13 anëtarët e familjes më të gjerë janë testuar, ndërsa shtëpitë e tyre janë dezinfektuar.
Nga ndihma e shpejtë në Strugë, vend ky ku janë izoluar 89 persona, thonë se struganët ende nuk i kanë marrë me seriozitet rekomandimet për izolim.