Autoritetet e burgjeve të Kosovës po e përcjellin me vëmendje gjendjen shëndetësore të të burgosurve.
1,756 të burgosurit në burgjet e Kosovës janë duke u trajtuar çdo ditë nga mjekët dhe stafi i Shërbimit Korrektues të Burgjeve.
Megjithatë, ende nuk ka ndonjë rast të dyshuar të infektimit me coranovoris.
“Nuk ka raste të dyshimta deri më tani të të prekurve me coronavirusit (COVID – 19), në burgjet e Kosovës mirëpo ne jemi duke vazhduar me masat parandaluese”, ka thënë për KALLXO.com drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi.
“Ashtu edhe qysh e dini që nga data 12 mars janë ndërpre të gjitha vizitat familjare nëpër të gjitha institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit, është ndaluar transferim nëpër burgje për të burgosurit, është reduktuar transporti në gjykata dhe prokurori (vetëm në raste shumë emergjente)”, theksoi Thaçi.
Drejtori Thaçi ka shtuar se gjatë kësaj kohe të burgosurit do kenë mundësi të flasin me shpesh me familjarët e tyre.
“Të burgosurve do t`u mundësohen telefonata më të shpeshta me familjarë dhe komunikim virtual përmes Skype, i cili tashme është i instaluar nëpër disa qendra korrektuese dhe shumë shpejt nëpër të gjitha qendrat”, tha ai.
Sipas Thaçit, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka kërkuar që të pezullohet dënimi për 23 të burgosur të cilët nuk kanë gjendje të mirë shëndetësore.
“Gjithashtu kemi kërkuar edhe nga stafi ynë që ata cilët janë të moshës me të shtyrë dhe kanë ndonjë problem shëndetësor mos të dalin në punë”, theksoi Thaçi.