Policia e Shtetit ka publikuar 7 masat e sigurisë që do të merren në vend në kuadër të parandalimit të përhapjes së koronavirusit. Përveç lëvizjes në këmbë do të ndalohet edhe qarkullimi me transport publik apo me automjete private.
Policia e Shtetit
Në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, duke e konsideruar si domosdoshmëri marrjen e masave shtesë për të mbrojtur çdo qytetar, çdo familje dhe vetë Shqipërinë, nga përshkallëzimi agresiv i sulmit të COVID-19, mbi ne dhe të afërmit tanë, të mos lejohet qarkullimi i mjeteve si më poshtë:
1.Nga dita e premte, datë 13.03.2020, ora 06:00, deri të dielën, datë 15.03.2020, ora 00:00, të mos lejohet të qarkullojnë automjete të transportit ndërurban, automjetet private drejt Tiranës dhe Durrësit apo anasjelltas, nga Tirana dhe Durrësi, në drejtim të zonave të tjera të vendit.
2.Nga dita e premte, datë 13.03.2020, ora 06:00, deri të dielën, datë 15.03.2020, ora 00:00, të mos lejohet qarkullimi i automjeteve private brenda në qytetin e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Lezhës, Elbasanit, Lushnjës, Fierit dhe Vlorës.
3. Qarkullimi i automjeteve në këto territore do të jetë i hapur vetëm për autoambulancat dhe automjetet që kryejnë funksione shërbimi shtetëror (personeli shëndetësor dhe social dhe shërbimet mbështetëse në strukturat e kujdesit shëndetësor, publike dhe jopublike, personeli i farmacive publike dhe jopublike, personeli që ofron shërbimet e furnizimit me ushqime, medikamente, shërbimet e kateringut, shërbimet postare, zjarrfikëse, funerale, energjisë, ujësjellës kanalizime, shërbimet private të ruajtjes së sigurisë së objekteve, shërbimet aeroportuale dhe personeli i linjave ajrore), duke dërguar pranë adresave të email-it: simon.mice@asp.gov.al, mitat.tola@asp.gov.al, fetah.guri@asp.gov.al dhe skender.ismaili@asp.gov.al, listën e personave të autorizuar dhe duke i paraqitur punonjësve të Policisë një kopje të këtij email-i.
4. Qarkullimi i automjeteve të personave me sëmundje kronike që kanë të planifikuara terapi mjekimi në spitale, duke provuar përmes një dokumenti nevojën për trajtimin e tyre, do të jetë i hapur.
5.Do të lejohen të qarkullojnë automjete të personelit të medias, duke paraqitur dokumentin e tyre të punësimit ose kartën e gazetarit.
6. Për qarkullimin vajtje – ardhje nga aeroporti i Rinasit, drejtuesi i automjetit duhet t’i tregojë punonjësit të policisë, biletat e fluturimit të personave që do të largohen apo foton e biletave të personave që do të mbërrijnë.
7. Marrja në automjetin e punës, e personave të familjes apo personave të tjerë që s’kanë lidhje me detyrën shtetërore është rreptësisht e ndaluar dhe do të ndëshkohet me sanksione të rënda të parashikuara në legjislacionin përkatës.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve të automjeteve që të respektojnë këto kufizime me rigorozitet, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, duke kontribuuar të gjithë për sigurinë e jetës.
Këto masa u bën publike nga kryeministri Edi Rama, i cili sqaroi se nga nesër, do të ndalohet lëvizja me makina private, urbane dhe autobuza në 8 qytete të Shqipërisë.
Masat e reja të vendosura nga qeveria, e kthejnë Shqipërinë e Mesme dhe rajonin Verior në një zonë në “shtet-rrethim”, ku të vetmet mjete që do të lejohen do të jenë ato shtetërore, autoambulancat, makinat e bizneseve dhe farmacive, përfshirë ato që transportojnë mallra, makinat e mediave, të gjithë ata që punojnë në administratën shtetërore. I vetmi rregull, sipas njoftimeve që u botuan këtë të enjte në faqen e kryeministrit Edi Rama në Facebook është akreditimi.
Këto masa, vijnë pas rëndimit të bilancit me Covid-19 në Shqipëri, ku numri i të prekurve ka shkuar në 23. Një prej të prekurve, ndërroi jetë dje në Spitalin e Durrësit.
Ndërkohë që vatra e të infektuarve është zgjeruar në Tiranë, Rrogozhinë, Elbasan, Durrës, dhe Lushnje. Jeta në vend është paralizuar thuajse totalisht, me ndërprerjen e transportit dhe të punës. E vetmja këshillë e përbashkët e institucioneve është që qytetarët të qendrojnë brenda.