Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se qëndrimi i tij dhe AAK’së është që për një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi, Amerika duhet të jetë prijëse e dialogut.
Këto deklarime Haradinaj i ka bërë pas takimit për Konferencën e Unitetit për Dialog, ku ishin të pranishëm kryetarët dhe përfaqësuesit e partive politike parlamentare, përveç LDK’së dhe Listës Srpska.
“Qëndrimi im dhe i AAK-së është se ne duhet të ecim me Amerikën si prijëse e dialogut për një marrëveshje përfundimtare Kosovë – Serbi”, ka shkruar Haradinaj.
Haradinaj ka bërë të ditur edhe arsyen e mungesës së kreut të LDK’së, Isa Mustafës në këtë takim.
“Kryetari i LDK-së, z. Isa Mustafa më ka njoftuar paraprakisht se për shkak të disa zhvillimeve nuk mund të jetë pjesë e këtij takimi.
Ishte një diskutim i hapur dhe shumë i sinqertë i të gjithëve dhe i falënderoj liderët për pjesëmarrjen. Sot u pa një dëshirë e të gjithë përfaqësuesve që të ketë përafrim qëndrimesh dhe për mua kjo është shumë e rëndësishme”, ka shkruar Haradinaj.