Deklarimet e përfaqësuesve amerikanë se do të shqyrtojnë tërheqjen e trupave ushtarake nga Kosovë nëse nuk hiqet taksa ndaj produkteve serbe, ka bërë që opozita të kërkojë seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit.
Seanca që për temë do të ketë taksendhe raportet mes Kosovës dhe ShBA-së do të mbahet në orën 15:00.
Anëtari i kryesisë së Kuvendit nga radhët e PDK-së, që edhe e ka kërkuar këtë seancë, Memli Krasniqi, tha se kanë kërkuar këtë seancë për të diskutuar rrezikimin e marrëdhënieve që qeveria është duke i shkaktuar me partnerin më strategjik të Kosovës ShBA-në.
“Shqetësimet janë të mëdha jo vetëm për skenën politike, po edhe për qytetarët në përgjithësi, veçanërisht kur çdo ditë t ashmë kemi deklarime nga zyrtarët më të lartë dhe përfaqësuesit të shtetit amerikan për mundësinë jo vetëm të suspendimit të mjeteve të mëdha. Tashmë dihet që 200 milionë euro janë suspenduar ndihmë ekonomike për Kosovën. Por ajo çka është më e rëndë dhe më e rëndësishme edhe për tërheqjen e mundshme të trupave ushtarake amerikane. Dje e kemi pasur deklarimin e senatorit Perdue, sot e kemi deklarimin e senatorit Rand Paul.
Do të ketë sipas kësaj logjike edhe deklarime të tjera dhe padyshim që Kuvendi i Kosovës e ka edhe për obligim dhe duhet të mblidhet për ta diskutuar këtë çështje, sepse kjo po shënon për fat të keq pikën më të ulët të raporteve të Kosovës me ShBA-të prej kur ekziston shteti jonë, bile edhe para kësaj”, tha ai.
Krasniqi tha se si opozitë nuk mund të qëndrojnë duarkryq ndaj këtyre zhvillime, derisa e ka quajtur katastrofë nëse trupat amerikane largohen nga Kosova.
“Ne si opozitë nuk kemi mundur të qëndrojmë duarkryq ndaj këtyre zhvillimeve pothuajse katastrofike dhe për të parandaluar një katastrofë. Sepse unë e konsideroj katastrofë nëse tërheqja ndodh e trupave amerikane nga Kosova. Atëherë kemi vendosur që të ftojmë qeverinë edhe Kuvendin dhe të mblidhemi për të diskutuar pse kemi ardhur deri këtu dhe çka duhet ndërmarrë për të evituar këtë rrezik real tashmë”, tha Krasniqi.
Gjatë ditës së djeshme senatori David Perdue ka thënë se ShBA-ja duhet të rishqyrtojë praninë e saj në Kosovë, nëse qeveria nuk e heq taksën ndaj Serbisë.
Ndërsa sot edhe senatori Rand Paul ka reaguar në lidhje me mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova.