Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë ka njoftuar se ka shkuar në 12 numri i personave të prekur nga koronavirusi në shqipëri, ku njëri është i lidhur me pacientin zero, ndërsa tjetri është një rast i ri në Lushnje.
Lajmi u bë i ditur nga zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, gjatë raportit të fundit për media, ku tha se janë testuar gjithsej 157 persona të dyshuar me COVID-19.
“Në 24 orët e fundit janë kryer edhe 43 testime të reja, nga të cilat kanë rezultuar dy raste positive me COVID-19. Njëri prej tyre është i lidhur me RASTIN 1 të identifikuar me koronavirusin e ri ndërsa rasti tjetër është një i moshuar në Lushnje (78 vjecar) me histori udhetimi me Italine. Të dy rastet e reja në vetëizolim dhe në gjendje të mirë shëndetësore.
Në total deri në këto momente, janë testuar 157 të dyshuar për COVID-19 dhe janë 12 persona të identifikuar pozitiv: Prej tyre, 9 kanë lidhje kontakti me rastin e parë të identifikuar dhe 3 janë raste të reja: 1 në Tiranë, një në Lushnje dhe një në Durrës, raporton Lapsi.al, transmeton Telegramisot.com
Lidhur me gjendjen e tyre shëndetësore ju informojmë se: 3 prej të prekurve janë të shtruar në Spitalin Infektiv në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, pa probleme të veçanta. Një prej tyre është e izoluar në spitalin e Durrësit, në terapi intensive, por në gjendje të stabilizuar.
7 prej personave të identifikuar COVID-19 pozitiv janë në VETËIZOLIM pa shenja klinike të infeksionit respirator. Ndërsa 104 persona, kontakte të personave të identifikuar me COVID janë në vetëkarantinim”, tha Rakacolli.