Këshilltari i Presidentit Thaçi, Artan Behrami thotë se ‘filozofët e Vetëvendosjes, po duan të ringjallin shpirtin ideologjik të Vetëvendosjes’.
“Por, ata asnjëherë nuk do të mund ta hipnotizojnë popullin e Kosovës, përmes retorikës me efekt të hajmalisë dhe as dënglave të solipsizmit. Proamerikanizmi asnjëherë nuk do të pësojë mutacion gjenetik dhe do të jetë gjithmonë i trashëgueshëm ndër gjenerata në Kosovë”, shkruan Behrami.
Postimi i plotë:
Mbi gjysmë dekade jam rritur dhe frymëzuar me vlerat e popullit gjerman në Trier të Gjermanisë, në vendlindjen e Karl Marksit.
Meqë këta filozofët e Qeverisë së Kosovës kanë vendosur që Kosovën ta shndërrojnë në një shtet socialist, të paktën është mirë që ta marrin modelin origjinal të Marksit dhe jo modele hibride.
Të mbështetur nga cyberxhemati i tyre, filozofët e Vetëvendosjes po dëshirojnë ta ringjallin shpirtin ideologjik të Enver Hoxhës dhe ta riinkarnojnë në trupin e ri të Republikës sonë demokratike.
Kjo është një ideologji, e cila Shqipërisë për 50 vjet ia humbi edhe 200 të tjera. Një ideologji, ku Amerika portretizohet si imperialiste dhe ku miqësia me shtetin që e çliroi dhe pavarësoi Kosovën, nuk është më e përjetshme, por i ka ditët e numëruara.
Lëvizja Vetëvendosja dhe filozofët e saj, tash e dy dekada po mundohen të etablojnë një ideologji të tillë në Kosovë.
Por, ata asnjëherë nuk do të mund ta hipnotizojnë popullin e Kosovës, përmes retorikës me efekt të hajmalisë dhe as dënglave të solipsizmit.
Proamerikanizmi asnjëherë nuk do të pësojë mutacion gjenetik dhe do të jetë gjithmonë i trashëgueshëm ndër gjenerata në Kosovë.