Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), i ka reaguar Lëvizjes Vetëvendosje për komunikatën e djeshme e cila tha se ka parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër vendimit të këtij institucioni, siç pretendojnë ata “për tarifat nxitëse për Burimet e Ripërtritshme të Energjisë.
Përmes një komunikate për media, ZRrE ka thënë se çdo qytetarë ka të drejtë të apelojë për vendimet e që i merr ajo, ashtu siç e ka shfrytëzuar këtë të drejtë edhe anëtari i Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, mirëpo gjuha të cilën e ka përdorur VV në komunikatën e djeshme, sipas ZRrE-së është sulm ndaj këtij institucioni.
“E drejta për të apeluar vendimet e ZRRE në Gjykatë i takon secilit qytetar dhe këtë të drejt e ka shfrytëzuar edhe Z. Sami Kurteshi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Por fjalori i shprehur nga mllefi për shfuqizimin e masës së përkohshme nga Gjykata e Apelit, në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje është sulm ndaj institucionit të pavarur siç është ZRRE”, thuhet në komunikatën e ZRrE-së.
“ZRRE konsideron se fjalori fyes dhe denigrues ndaj një institucionit të pavarur, të themeluar nga Kuvendi i Republikës Kosovës, cenon integritetin dhe funksionimin e tij. Prandaj si i tillë është i papranueshëm dhe i rrezikshëm për pavarësinë dhe funksionimin profesional të ZRRE”, është shprehur ZRrE.
Vetëvendosje në komunikatën e djeshme të VV-së, ka akuzuar ZRrE-në se është duke punuar në interes të bizneseve.
“Si duket, përpëlitjet e praktikave korruptive, keqpërdorimit të pozitës publike dhe ndërlidhjet kriminale të biznesit me organet dhe autoritetet rregullative po vazhdojnë edhe më tej nga mbetjet e regjimit të parapolitikës.
Sistemi i drejtësisë duhet të veproj dhe ta mbroj të drejtën dhe interesin e qytetarëve të Republikës. Nëse dikush ka detyrime ndaj DEVOLLËVE, ata nuk janë qytetarët që shtyhen të paguajnë tarifa marramendëse të energjisë elektrike për 12 vitet e ardhshme”.
“Pas disa tentimeve të dështuara të mëparshme gjatë vitit 2019, të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për ti aprovuar tarifat nxitëse (feed-in-tariffs) për prodhimin e energjisë elektrike nga panelet solare — tërësisht të panevojshme, të padrejta dhe kundër çdo logjike të tregut — më datën 27 nëntor 2019, Bordi i ZRrE-s, i ka aprovuar tarifat nxitëse në lartësi prej 85.5 EUR /MËh për grupin DEVOLLI për 12 vitet e ardhshme”, thuhet në komunikatën e djeshme të VV-së.
Mirëpo tutje në komunikatë, ZRrE ka sqaruar tarfiën nxitëse për Burimet e Ripërtritshme të Energjisë.
“Aktualisht, Tarifa nxitëse është e vetmja skemë mbështetëse në Kosovë që përdorë stimujt financiar për të arritur caqet për BRE, të përcaktuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Megjithatë, për shkak të kufizimeve financiare dhe mungesës së reagimit të shpejtë ndaj çmimeve në rënie të teknologjisë së BRE-së, efikasiteti i skemave mbështetëse aktuale do të rishqyrtohet.
Në mënyrë që të vazhdohet tutje me një skemë të re mbështetëse për BRE-të, bazuar në kushtet konkuruese, Ministria për Zhvillim Ekonomik duhet të analizojnë të gjitha aspektet relevante në mënyrë që të përcaktojnë një rrugë të përshtatshme për të vazhduar tutje në një transformim gradual drejt mekanizmave mbështetës të tregut”, thuhet në sqarimin e ZRrE-së.