Melihate Tërmkolli nga LDK-ja ka reaguar ndaj Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti duke thënë se as Enver Hoxha nuk do t’i referohej me kaq poshtërim SHBA-së, ashtu si këshilltarët e tij, raporton Gazeta Express.
“A janë në terezi këta të qeverisë apo kanë shkalluar?! As diktatori Enver Hoxha në kohë të tij sigurisht nuk do t’i referohej SHBA-ve me kaq poshtërim e papërgjegjësi se që po i referohet Kryeministri Albin Kurti dhe këshilltarët e tij (Erzen Vraniqi, Elvis Hoxha etj).
Kryeministri Kurti dhe këshilltarët e tij janë shembulli më eklatant i sjelljes së pashembullt në gjithë historinë politike të Kosovës, ndaj përfaqësuesve më të lartë të SHBA-ve, presidentit të saj z. Donald Trump dhe të dërguarit të tij special për të ndihmuar bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, z. Grenell”, ka deklaruar ajo.
Tutje, Tërmkolli thotë se veprimi më i mirë që LDK-ja mund të marrë sot është tërheqja nga Qeveria.
“Kjo papërgjegjësi aq e madhe ndaj vendit më miqësor dhe më kontribuues për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë, jo veç ka vënë në shkallën më të ulët raportet tona shtetërore e miqësore por ka shkelur edhe mbi normat dhe kodet më elementare të sjelljes politike ndaj një vendi siç është SHBA-ja.
Veprimi më i drejtë është tërheqja urgjente e LDK-së nga qeveria dhe gjetja e rrugëve për rikuperimin e marrëdhënieve tona me SHBA-së dhe me të gjitha shtetet tjera mike e partnere, si dhe ngritja e përgjegjësisë institucionale përfaqësuese në nivelin më të lartë të interesave të vendit tonë”, ka thënë ajo.