Për kontributin e dhënë në luftë dhe për lirinë e pavarësinë e vendit, sot presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka ndarë dekorata për ushtaret e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kreu i shtetit u shpreh se madhështinë dhe fuqinë e rezistencës, por edhe mrekullinë e fitores së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kanë shtuar gratë dhe vajzat.
Ai tha se ndan këto dekorata për të vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm dhe historik të grave dhe vajzave në luftën për lirinë dhe sovranitetin e vendit.
Thaçi: Mrekullinë e fitores së UÇK-së e ka shtuar pjesëmarrja e grave dhe vajzave në UÇK
“Sot është një ditë e veçantë për kombin tonë, për kombin shqiptar, sot shënojmë apo fillojmë të shënojmë ditët e “Epopesë së UÇK-së, kujtojmë luftën heroike madhështore të komandantit legjendar Adem Jashari, fam iljes së tij, të gjithë bashkëluftëtarëve, të gjitha atyre heroinave dhe heronjve që ranë në istikamet e luftës. Manifestimi i cili do të vazhdojë gjatë tri ditëve të ardhshme, por edhe si bashkëluftëtarë i juaj edhe si president i vendit vlerësoj lartë kontributin e gjithë luftëtarëve, por madhështinë dhe fuqinë e rezistencës, por edhe mrekullinë e fitores së UÇK-së e ka shtuar, e ka rritur dhe e ka hijeshuar me sakrificën e vet, me guximin e vet edhe pjesëmarrja e grave dhe vajzave në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, një pjesëmarrje kjo vullnetare, por obligim kombëtar për t’i rezistuar ushtrisë dhe policisë serbe”, tha kreu i shtetit.
Thaçi tha se sot kujtojnë të gjithë ata që kontribuuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit, ndërsa u shpreh se vlerëson lartë kontributin e miqve ndërkombëtarë e sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Thaçi: Falënderojmë gjithmonë miqtë tanë ndërkombëtar, para së gjithash ShBA-të
“Sot kujtojmë gjithë të rënët e lirisë, kujtojmë plagët dhe sakrificën e invalidëve të luftës, vlerësojmë lartë kontributin e veteranëve të UÇK-së, e në të njëjtën kohë vlerësojmë kontributin e çdo qytetari të Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Vlerësojmë lartë kontributin e diasporës shqiptare dhe falënderojmë gjithmonë miqtë tanë ndërkombëtar, para së gjithash Shtetet e Bashkuara të Amerikës që dhanë gjithçka për të na u gjendur afër, pranë nesh dhe me ne për të mundur të keqën, për të mundur ata që kryenin gjenocid, spastrim etnik dhe kryenin masakra në Kosovë”, tha ai.
Në mesin e të dekoruarave ishte Fetnete Ramosaj, të cilën e ka dekoruar me medaljen hero i Kosovës pas vdekjes, ndërsa, dekorata kanë marrë edhe Time Kadrija, Fitnete Seta, Behije Krasniqi-Hadërxhonaj, Hatixhe Jas hari dhe shumë luftëtare të tjera të UÇK-së./M.Duraku/