Zëvendëskryeministri i parë Avdullah Hoti, ka thënë se nuk do të lejohet që institucionet e reja të paralizohen karshi temave siç është tarifa për kauza pseudopolitike sepse kjo do ta shpie Kosovën në getoizim.
Sipas Hotit, kjo gjë nuk duhet të lejohet të ndodhë pasi që kjo i jep hapësirë Serbisë të dëmtojë pozitën ndërkombëtare të vendit, transmeton Gazeta Sinjali.
“Paralizimi eventual i institucioneve të reja të Kosovës karshi këtyre temave për shkak të kauzave pseudopolitike, siç është tarifa, na shpie në getoizim. Ne nuk do të lejojmë getoizimin e Kosovës, sepse kjo i lë hapësirë Serbisë të dëmtojë pozitën tonë ndërkombëtare”, ka shkruar Hoti.
Ai më tej tha se agjenda e dialogut dhe politikës së jashtme e qeverisë së re mund të ketë sukses vetëm në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.
“Angazhimi i Serbisë për defaktorizimin e subjektivitetit të Kosovës është sistematik, që tregon se ajo është kundër marrëveshjes për normalizim. Kjo nuk është gjë e re.
I ri është konteksti politik në Kosovës, ku institucione e reja që kanë legjitimitet të plotë qytetarë tani marrin përsipër agjendën e dialogut dhe politikës së jashtme.
Është e qartë se kjo agjendë e qeverisë së re mund të ketë sukses vetëm në koordinim SHBA dhe BE”, ka shkruar ndër të tjera Hoti në Facebook.