Pavarësisht heqjes së pjesshme të tarifës ndaj produkteve serbe, Serbia po vazhdon fushatën agresive kundër shtetësisë së Kosovës. Të martën zyrtarë serbë proklamuan se Sierra Leone është shteti i 18-të që ka tërhequr njohjen ndaj Kosovës, mirëpo kjo gjë u mohua nga institucionet kosovare.
E përderisa shefi i Qeverisë Albin Kurti i bëri thirrje BE-së dhe SHBA-së ta dënojnë këtë rast, asnjëra palë nuk reagoi, shkruan sot gazeta Zëri.
Serbia edhe gjatë të martës vazhdoi fushatën agresive për çnjohje të shtetësisë së Kosovës, ani pse kryeministri i Kosovës Albin Kurti javën e kaluar kur hoqi pjesërisht tarifën 100% ndaj produkteve serbe kërkoi nga shteti serb ta ndalojë këtë fushatë.
Pavarësisht kësaj, përfaqësues të institucioneve serbe dje njoftuan se shteti afrikan Sierra Leone është vendi i tetëmbëdhjetë me radhë, i cili ka tërhequr njohjen ndaj Kosovës. Këtë gjë e konfirmoi shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq, por e mohoi i pari i Ministrisë së Jashtme të Kosovës Glauk Konjufca.