Ka kaluar një muaj i plotë nga formimi i Qeverisë së Kosovës, por presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Albin Kurti nuk kanë arritur t’i harmonizojnë qëndrimet rreth dialogut.
Ndasia e dy liderëve shtetërorë po vazhdon të jetë evidente, pavarësisht faktit që ndërkombëtarët po kërkojnë aktivizimin e negociatave.
Këtë e dëshmon edhe takimi i paparalajmëruar i Thaçit me presidentin serb, rreth të cilit Qeveria nuk u informua fare, shkruan sot Zëri.
Ndonëse thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare për vazhdimin e dialogut dhe për arritjen e marrëveshjes finale Kosovë – Serbi po vazhdojnë, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Albin Kurti nuk po arrijnë të dakordohen rreth procesit të negociatave.
Derisa shefi i ekzekutivit nuk po resht së deklaruari që Qeveria e Kosovës, respektivisht kryeministri është ai i cili duhet ta drejtojë procesin e bisedimeve me Serbinë, shefi i shtetit po vazhdon të takohet me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiqin.
Para dy ditësh Thaçi njoftoi se në Shtëpinë e Bardhë ka takuar presidentin e Serbisë me ftesë të dërguarit special të SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell.