Vetëm pak ditë pasi u votua Qeveria e re, KALLXO.com ka kërkuar informacione për të punësuarit në të por edhe në 15 ministritë.
Kësaj kërkese i është përgjigjur edhe Ministria e Mbrojtjes.
Kjo Ministri për KALLXO.com ka bërë të ditur se në mesin e 10 të emëruarve nga ministri Anton Quni është edhe një vëlla i tij.
“Nga të gjithë të punësuarit e stafit përkatës, Ministri Quni ka lidhje familjare vetëm me vllain e tij, Albert Quni në pozitën zyrtare; Shoqërues i Ministrit”, thuhet në përgjigjen e zyrës të Ministrisë së Mbrojtjes.
Stafi i kabinetit të ministrit Anton Quni ka këtë përbërje: Jashar Ramadani, shef i kabinetit të ministrit, Martina Dedaj– Kqira, zyrtare e lartë e kabinetit të ministrit, Feriz Trezhnjeva, këshilltar politik i ministrit; Hamdi Pollomi, këshilltar ushtarak i ministrit, Arsim Hoxhaj, këshilltar politik i ministrit, Demokrat Gjocaj, këshilltar politik i ministrit, Nderim Gashi, këshilltar politik i ministrit, Kushtrim Sejdiu, sekretar personal i ministrit, Albert Quni, shoqërues i ministrit dhe Demir Murselaj, shofer i ministrit.
Në përgjigjen për KALLXO.com thuhet se punësimi i stafit të tij mes tjerash është bërë bazuar në profesionalizëm.
“Bazuar në formimin profesional ushtarak dhe politik të dëshmuar të Ministrit Quni, punësimi i stafit të tij është i bazuar në vlerat profesionale, intelektuale, eksperiencës dhe shkathtësive menaxhuese të personelit përkatës”, thuhet në përgjigjen e tyre elektronike.
KALLXO.com ka kërkuar të dhëna nga kryeministri, zv.kryeministrat dhe gjithë ministrat për gjithë të punësuarit në kabinetet e tyre.
Kjo kërkesë është bërë me qëllim të verifikimit nëse premtimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore për luftimin e nepotizmit janë duke u implementuar nga kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe zëvendësministrat e Qeverisë së Kosovës me rastin e kompletimit të stafit të tyre.