Njëri nga pjesëtarët e rëndësishëm të UÇK-së, Gafur Elshani, të enjten u bë figura e radhës që u ftua nga Prokuroria Speciale e Hagës.
Elshani u ftua në cilësinë e dëshmitarit, teksa nga OVL-ja e UÇK-së kanë konfirmuar se ardhja e ftesave të reja nga Specialja së fundmi është intensifikuar. Ndërkohë, njohësit e drejtësisë vlerësojnë se brenda disa muajve mund të pritet edhe ngritja e aktakuzave të para.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që janë përgjegjëse për hetimin e krimeve, të cilat supozohet se i kanë kryer ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë dhe para luftës së viteve 1998 – 1999, kanë vazhduar me dërgimin e ftesave të reja në Kosovë.
Të enjten ftesa e radhës që “ateroi” nga ky organ ishte për ish-pjesëtarin e UÇK-së Gafurr Elshanin, i cili ishte pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në luftën çlirimtare dhe ishte njëri nga figurat e rëndësishme të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Ftesën e Elshanit e konfirmuan nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të cilët njoftuan se ai u ftua në cilësinë e dëshmitarit.
Ndërkohë, kjo organizatë ka vazhduar kundërshtimet e ashpra ndaj Gjykatës Speciale, teksa paralajmërimet e këtij organi për ngritjen e aktakuzave i kanë quajtur të pabaza, shkruan Zëri.
Sipas tyre, ky organ po tenton të arsyetojë fondet e shpenzuara për 5 vjet.
Në anën tjetër, njohësit e sistemit të drejtësisë dhe avokatë të akredituar nga ky institucion thonë se me emërimin e gjyqtarit të procedurës paraprake Specialja ka dhënë indikacionet e para se po bëhet gati për ngritjen e aktakuzave të para. Kësisoj, sipas tyre, brenda disa muajve këto aktakuza mund të ngrihen ose të hidhen poshtë.