Një vrasje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në fshatin Zahaq të Pejës. Trupi i ish-pjesëtarit të UÇK’së, Qerim Kelmendit, është gjetur pa shenja jete dhe i djegur në veturën e tij. Për vrasjen e tij, familjarët po e drejtojnë gishtin nga shërbimet sekrete serbe.
Ata i kanë hedhur poshtë dyshimet se Qerimi mund të ketë qenë dëshmitar i Gjykatës Speciale. Për rastin ka reaguar edhe Presidenti Hashim Thaçi, Kryeministri Albin Kurti dhe ish-kryeministri, Ramush Haradinaj.
Një veturë e djegur është gjetur sot në rrugën “Bekim e Blerim Kelmendi”, në Zahaq të Pejës. Brenda kësaj veture është gjetur trupi i pajetë dhe i djegur i ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qerim Kelmendit.
Për vrasjen që tronditi Pejën janë deklaruar edhe familja Kelmendi.
Vëllai i Qerimit, Osmani thotë se vëllain ia zunë në pritë.
“Vëllain tim e kanë zënë në pritë mbrëmë. Njëherë e kanë ekzekutuar pastaj e kanë djegë veturën. Ai ka qenë në qytet mbrëmë. Gjithmonë ka dal i lirë për tu shëtitur rrugëve të Kosovës”, ka thënë Osmani për Express.
Ai ka hedhur poshtë dyshimet se Qerimi mund të ketë qenë dëshmitar i Gjykatës Speciale. Thotë se asnjëherë nuk e ka njoftuar familjen për një ftesë të tillë.
E për atë se kush mund ta ketë kryer vrasjen është deklaruar vëllai tjetër i Qerimit.
Ish-udhëheqësi i Lëvizjes Popullore të Kosovës, Ibrahim Kelmendi, i ka thënë Gazetës Express se dyshon që prapa vrasjes së vëllait të tij qëndrojnë vrasës mercenarë, apo profesionistë të BIA-s serbe, që thotë se këtë e kanë bërë për të ndezur edhe më shumë armiqësimin mes krahut të luftës dhe atij të paqes.
“Dyshoj në vrasës mercenarë apo profesionistë të BIA-s së Serbisë, e cila duhet të ketë shfrytëzua rastin e debatit dhe grindjeve për “vrasjet politike”, për ta ndez edhe më shumë armiqësimin mes “krahëve” të luftë dhe pacifist.
Sa herë që nxiten grindje e debate, BIA shfrytëzon rastin të bëjë vrasje, për ta armiqësuar sa më shumë ambientin mes shqiptarëve”, ka thënë Kelmendi për Express.
Ndërkohë, pak orë para se policia të gjente veturën e djegur të Qerim Kelmendit, ky i fundit përmes dy shkrimeve në rrjete sociale i kishte dalë në krah, nënkryetarit të organizatës së veteranëve të luftës, Nasim Haradinajt, që në një intervistë në Televizionin T7, e quajti tradhtar ish-presidentin Ibrahim Rugova.
Kelmendi kishte shkruar se emri i Ibrahim Rugovës është shndërruar në lavatriçe të udbashëve.
“Emri i Ibrahim Rugovës ështē shendrruar ne Lavatriçe të udb-ashve, titistve, rankoviqistve, rugovistve, pastaj, të qyqarve, dezertorve dhe sabotatorve te luftës. Këtë farē te keqe e ka mbjellë, kultivuar, rritur dhe korrur UDB dhe KOS ! Janë shumë…”, kishte shkruar ai, derisa e kishte shpërndarë intervistën e Haradinajt, ku fliste për Rugovën.
Një orë më vonë, Qerim Kelmendi e kishte bërë edhe një postim në rrjete sociale, të fundit, para se të gjendej i vrarë.
Ai kishte shpërndarë një shkrim të një personi ku thoshte se “Të quhet Nasim Haradinaj farë e keqe nga Naser Rugova, është fyerje jo vetëm për Nasimin, por edhe për babanë e tij hero”.
Të njëjtit postim i kishte bashkëngjitur shkrimin “Po, Smajl Haradinaj e Nasim Haradinaj janë Tradhtarë, sepse ishin pakic, ishin kundër Serbisë, luftuan kundër Serbisë dhe shumicës shqiptare ! Edhe Unë jam tradhtarē si Smajl Haradinaj dhe Nasim Haradinaj, sepse, njësoj si ta, jam i urryer nga mijra shqiptarë”, kishte shkruar ai.
Për vrasjen e ish-pjesëtarit të UÇK’së, kanë reaguar edhe Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Albin Kurti dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj.
Thaçi iu ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë të zbardhin sa më shpejt vrasjen e Kelmendit.
“Vrasja tinëzare e Qerim Kelmendit, njërit prej luftëtarëve më të hershëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte tronditëse për mua dhe të gjithë qytetarët e Kosovës. I bëj thirrje urgjente institucioneve të rendit dhe ligjit, që ta zbardhin këtë vrasje të tmerrshme sa më shpejtë që është e mundur dhe kryesit e saj t’i vendosën para drejtësisë”, ka shkruar Thaçi.
Ai ka premtuar se do të përdoren të gjithë mekanizmat ligjorë të shtetit për ta zbardhur vrasjen.
Edhe kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nga prokuroria dhe policia që ta trajtojnë me të gjitha kapacitetet atë që e ka quajtur vrasje mizore.
“21 vjet pas luftës, në kohë të paqes, askush nuk duhet të jetojë me ndjenjën e frikës e sidomos ata që sakrifikuan më së shumti. Policia dhe prokuroria duhet ta hetojnë me gjithë kapacitetin e tyre këtë vrasje mizore që është më shumë se krim”, ka shkruar Kurti.
Përveç Thaçit e Kurtit, edhe ish Haradinaj u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që sa më shpejt të zbardhin rastin.
“Sot me pikëllim morëm lajmin për vrasjen e bashkëluftëtarit të orëve të hershme të UÇK-së Qerim Kelmendi. Familjes dhe bashkëluftëtarëve u shprehi ngushllimet e sinqerta. I bëj thirrje organeve të drejtësisë që sa më shpejtë të zbardhin rasti”, ka shkruar Haradinaj.
Detaje rreth këtij rasti ka dhënë Policia Rajonale e Pejës.
Sipas Policisë, fillimisht ishte lajmëruar për një veturë të djegur, në fshatin Zahaq të Pejës. Por, gjatë kohës derisa zjarrfikësit ishin duke lokalizuar zjarrin në brendësi të veturës është vërejtur një person (viktimë mashkull) trup i karbonizuar.
“Gjatë kohës derisa zjarrfikësit ishin duke lokalizuar zjarrin në brendësi të veturës është vërejtur një person (viktimë mashkull) trup i karbonizuar. Vendit të ngjarjes i janë përgjigjur njësitet relevante të sektorit rajonal të hetimeve, njësiti K9, si dhe prokurori i shtetit dhe ekipi mjekësor, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës. Gjatë shikimit të vendit të ngjarjes është konstatuar se vetura e djegur është e tipit VË Passat me targa vendore”, thuhet në komunikatë.
Rastin për Express e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore e Pejës.
“Një person është gjetur pa shenja jete, dyshohet se ka të bëjë me vrasje. Prokurori, policia dhe departamenti i Krimeve të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes. Po kryhen të gjitha hetimet e nevojshme”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
Por kush ishte në të vërtetë Qerim Kelmendi?
Bashkë me vëllain e tij Ibrahim Klemendin ishte një ndër themeluesit e Lëvizjes Popullore të Kosovës që më pas ishte shndërruar në Ushtri Çlirimtare të Kosovës.
Siç shkruhet në revistën DITA të shkurtit 2013, Qerim Kelmendi gjatë kohës sa kishte shërbyer në LPK ishte njohur me nofkën “Shpirtmadhi”, ndërkohë në gjatë shërbimit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ishte njohur me nofkën “Dema”.
Gjatë viteve të 90-ta kishte jetuar në Shqipëri me mision për krijimin grupeve të rezistencës së Kosovës dhe UÇK’së deri në vitin 1999 kur edhe kishte përfunduar lufta.
Qerim Kelmendi ishte plagosur në vitin 1996 gjatë një përplasje me forcat serbe.
Ai madje ishte edhe një prej emrave që përfolej për organizimin e vrasjeve të pasluftës në Kosovë.
Kështu kishte thënë në një intervistë në Klan Kosova dëshmitari i mbrojtur i Prokurorisë Speciale, Shkumbin Mehmeti.
Ai kishte akuzuar Qerimin bashkë me vëllain Ibrahim Kelmendin se kanë dhënë urdhër për vrasjen e deputetit të LDK’së Smajl Hajdarjat dhe kolonelit Tahir Zemaj.
Këto akuza Qerimi i kishte përqeshur, duke i cilësuar si një telenovelë.
“Telenovela që po tjerët qe 10 vite ! E paska zbulue Makinën ne Avull !”, kishte thënë Qerim Kelmendi në vitin 2018.
Në profilin e tij në Facebook, Qerim Kelmendi është marrë në mënyrë aktive me ngjarjet e viteve 90-ta, UDB-ën, vrasjen e Ilir Konushevcit, familjen Haklaj nga Tropoja .
Së fundi Qerim Kelmendi i kishte dalë në mbrojtje Nasim Haradinajt pas akuzave të këtij të fundit ndaj Ibrahim Rugovës për tradhti.
Kelmendi ishte vazhdimisht aktiv në rrjetet sociale me postime kundër figurës së Ibrahim Rugovës. Ai shpesh postonte video të takimeve Rugova –Millosheviq.