Ishte raportuar i zhdukur që nga korriku i vitit 2017. Për tri vjet, familjarët e Aziz Dervishit nga Gllogjani nuk kishin mund të gjejnë asnjë gjurmë të tij. Ndihmë për gjetjen e tij kishte kërkuar edhe policia dhe prokuroria. E pasditen e së mërkurës, Aziz Dervishi u gjet i vdekur në një pyll në Deçan, shkruan Gazeta Express
U zhduk pikërisht në datën e lindjes së tij, më 20 korrik. Për tre vjet, familjarët ishin në ankth të kërkimit të tij, që nuk pati sukses asnjëherë.
Disa rroba të njeriut u vërejtën nga një qytetar në një pyll në Deçan, pasditen e së mërkurës së 26 shkurtit.
Dëshmitari e lajmëroi rastin në polici, ndërkaq në vendngjarje përveç policisë dolën edhe mjekoligjorët, të cilët konstatuan trupin e pajetë të viktimës.
Gazeta Express nga burime brenda organeve të sigurisë, ka mësuar se trupi i pajetë është i Aziz Dervishit nga Gllogjani.
Ndërkaq, ende nuk dihet në çfarë gjendje është gjetur trupi i pajetë i tij, si dhe rrethanat që kanë çuar deri tek vdekja.
Ndërkaq për gjetjen e një trupi të pajetë në një pyll në Deçan, ka njoftuar edhe Policia e Kosovës në raportin 24 orësh.
“Në lidhje me rastin e lajmëruar si person i zhdukur, me 26.02.2020 një mashkull kosovar ka raportuar se në pyll kishte vërejtur disa rroba të njeriut. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante dhe të IML-së, të cilët kanë bërë ekzaminimin e trupit të pajetë. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.”, thuhet në raportin e policisë.
Ndërkohë, që nga dita e zhdukjes, familjarët e Haziz Dervishit ishin në kërkim të tij.
Për gjetjen e tij, kishin kërkuar ndihmë edhe policia e prokuroria e Pejës.
“Më datë 20.07.2017, në polici është raportuar rasti person i zhdukur, bëhet fjalë për personin Aziz Ramiz Dervishaj i lindur me 20.07.1963 në fsh.Gllogjan K-Deçan ku dhe ka banuar. Pas konsultimit dhe pajtimit me familjaret e viktimës dhe Prokurorin e çështjes kërkojmë nga ju nëse mund te na ndihmoni ne arritje te çfarëdo informate për vendndodhjen e këtij personi”, kishin njoftuar organet e rendit.