I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka kërkuar nga Autoriteti i Konkurrencës të shqyrtojë vendimet e disa komunave për të ndaluar punën ditën e diel, në pikëpamje të cenimit të konkurrencës së lirë dhe të ndikimit në sektorin privat.
Mustafa ka thënë se ditëve të diela, qytetarët e Kosovës mund të blejnë dhe të shërbehen në Shkup e në Tiranë por jo në qytetin e tyre dhe nga bizneset kosovare.
Ai propozoi që bizneset të vendosin për ditët që punojnë e nuk punojnë duke e respektuar ligjin dhe orët javore të punës.
Postimi i plotë:
Pse të mos punohet ditëve të diela? Kush ka bërë analiza dhe ka ardhur në përfundim se mbyllja e dyqaneve, shërbimeve, aktiviteteve ekonomike ditën e diel nëpër komuna është në interes të publikut, të punësimit dhe të zhvillimit ekonomik?
Se kjo siguron 8 orë punë në ditë dhe 40 orë në javë?
Mendoj që askush, sepse vështirë është të bashkëjetojë koncepti i ekonomisë së lirë të tregut dhe i promovimit të sektorit privat si promotor i zhvillimit me ndërhyrje arbitrare në treg nga disa komuna, duke e marrë rolin e rregullatorëve ekonomik.
Pse ditëve të diela, qytetarët e Kosovës mund të blejnë dhe të shërbehen në Shkup e në Tiranë por jo në qytetin e tyre dhe nga bizneset kosovare. Pse të dielave paratë tona mund ti shpenzojmë në vendet tjera por jo në Kosovë dhe pse në këtë ditë turistët dhe vizitorët nuk mund të gjejnë shërbime në Kosovë? Ku qëndron arësyeja që për një ditë në javë të ulet kërkesa agregate në treg te ne, me efekt negativ në brutoproduktin vendor dhe në punësim, dhe kjo kërkesë të zhvendoset jashtë Kosove?
Kjo është vështirë të argumentohet me mendje racionale por arësyetohet shumë lehtë me diletantizëm.
Prandaj shoh arësye që Autoriteti i Konkurrencës të shqyrtojë vendimet e disa komunave për të ndaluar punën ditën e diel, në pikëpamje të cenimit të konkurrencës së lirë dhe të ndikimit në sektorin privat.
Do të ishte e rrugës që bizneset të vendosin për ditët që punojnë e nuk punojnë duke e respektuar ligjin dhe orët javore të punës.
Tendenca për rregullim administrativ të ekonomisë dhe të jetës së qytetarëve është recidiv i kohëve të kaluara, si e tillë shkakton deformim të sistemit ekonomik në vendin tonë.