Partitë opozitare në Kuvend kanë shënuar sot fitoren e parë politike karshi koalicionit qeverisës në seancën për formimin e komisioneve parlamentare. Kryeparlamentarja Vjosa Osmani paraditen e sotme provoi që me votat e koalicionit qeveritar të imponoj agjendën e punës së Kuvendit por dështoi pasi të gjithë deputetët e opozitës i dolën kundër.
Me këtë rast, nënkryetari i Kucendit nga radhët e PDK, Memli Krasniqi ka argumentuar parregullsitë e kësaj seance dhe i ka propozuar koalicionit që nëse duan formim të komisioneve pushteti duhet të pajtohet me propozimet e deputetëve të opozitës, të cilët kanë kërkuar që seanca të procedoj sipas ligjeve dhe rregullores.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, kryeparlamentarja Vjosa Osmani tha se janë pajtuar që të procedojnë sipas kërkesës së nënkryetarit të PDK Memli Krasniqi.
“Sot në seancën e nisur paradite, ne si deputetë të opozitës theksuam domosdoshmërinë e respektimit të plotë të Rregullores së Punës së Kuvendit dhe nevojën e domosdoshme të kohezionit politik, në mënyrë që Kuvendi të mund të konstituoj trupat e veta punuese, pra formimin e komisioneve parlamentare. Pas shumë diskutimeve ku u evidentuan shkarjet e Rregullores së Punës dhe pas dështimit të votimit pa arritur kohezionin politik, tani në mbledhjen e sotme të Kryesisë, vërejtjet tona u morën parasyshë dhe tani besoj kemi pajtim të plotë për rrugën që duhet ta ndjekim së bashku për të mundësuar votimin e suksesshëm të komisioneve parlamentare”, tha Krasniqi.
Propozimet e PDK si lidere e opozitës morën pajtim të gjitha partive në Kuvend dhe seanca tani pritet të votoj formimin e komisioneve parlamentare.