Në diskutimin për kioskat, i cili po zhvillohet në Kuvendin e Komunës së Prishtinës, janë përplasur asamblisti i LDK-së, Shefki Gashi, dhe ai i VV-së, Egzon Azemi. Ata kanë shpërthyer me akuza e fjalë fyese ndaj njëri-tjetrit, shkruan Gazeta Express
Sot në asamblenë e Prishtinës po zhvillohet diskutimi rreth ankandit për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të KP-së, për kioskat.
Partitë opozitare po kërkojnë të tërhiqet ky ankand të cilin po e quajnë diskriminues për qytetarët.
Asamblisti i VV-së, Egzon Azemi, gjatë fjalimit të tij e ka përmendur emrin e Shefki Gashit të LDK-së, e këtij nuk i pëlqeu kjo gjë.
“Mshele gojën, mos ma përmend emrin, ti emrin tim harroje, shqip po të them, kurrfarë obligimi ndaj teje s’kam. Unë jam asamblisti më i vjetër këtu, duhet ta dini ju mirë, anëtarin e komisionit e tërheq vetëm ai që e ka votu, s’mundet kërkush me m’thirrë n’telefon me m’thënë Shefki tërhiqu, s’jam i PDK-së unë, jam i LDK-së”, i ka thënë Gashi Azemit.
Ndërkaq, derisa Gashi ishte duke e vazhduar fjalën e tij, në momentin kur thotë se si asamblistë kanë ardhur që të punojnë për një interes, atë të qytetarëve, Azemi i tha se ka ardhur për interesin e vet.
E ndaj këtyre fjalëve të Azemit përsëri shpërtheu Gashi i cili kësaj radhe ishte edhe më i ashpër.
“Mshele gojën, se t’fshij. Për çka po e përmend emrin tim, a m’keni votu anëtar të komisionit, pse s’më keni thirrë me thanë grupi u tërhoq, tërhiqu edhe ti”, ka thënë Gashi.
Diskutimi për kioskat ende po vazhdon në asamblenë e Prishtinës.