Një ekzekutim me armë zjarri ka ndodhur mbrëmë në kryeqytetin italian, ku i vrarë ka mbetur një 45 vjeçar me origjinë nga Shqipëria.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 23:30. Shqiptari, me precedentë penalë, po rikthehej në qeli pasi kishte marrë leje nga burgu, por është qëlluar për vdekje me një plumb në kokë dhe një në gjoks.
45 vjeçari kishte shkuar të takonte të shoqen dhe familjarët, por pas vizitës ka gjetur vdekjen.
Vrasësi e ka pritur pikërisht poshtë banesës dhe sapo e ka parë, e ka lënë të vdekur në një vrasje të tipit mafioz.
Pak minuta pasi ndodhi ngjarja e rëndë, vëllai i shqiptar ka mbërritur në skenën e krimit dhe sipas medias italiane ka nisur të ulërasë dhe bërtasë në dhimbje.
Po sipas medias italiane, hetimet deri më tani janë fokusuar në larje hesapesh mes klaneve, pasi ekzekutimi ka ndodhur pranë një zone (Tufello dhe San Basilio) të cilat njihen si epiqendra të trafikut të drogës.