Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë se linja ajrore Beograd-Prishtinë është një zgjidhje e mirë, por që sipas tij askush nuk mund të thotë se Serbia e ka njohur shtetin e Kosovës.
“Letra për qëllim të vendosjes së lidhjes ajrore Beograd-Prishtinë është një gjë e rëndësishme për të cilën është udhëhequr dialogu për një kohë të gjatë, me të cilin është gjetur zgjidhja ku askush nuk mund të thotë se e kemi njohur Kosovën”, ka thënë Vuçiq.
Ai në lidhje me këtë e ka falënderuar emisarin special të presidentit amerikan Donald Trump, Richard Grenell dhe këshilltarin e presidentit amerikan për siguri kombëtare Robert O’Brien.
“I falënderoj për energjinë dhe përpjekjet të cilat i kanë angazhuar Grenell dhe O’Brien. Nuk ishte lehtë për ne, por as për amerikanët që të bëhet gjithë kjo. E falënderoj edhe presidentin amerikan Trump”, ka thënë Vuçiq.
Ai është përgjigjur edhe në kritika se operatori i lidhjes nuk do të jetë Air Serbia, duke shtuar se “shqiptarët këtë e kishin dashur, por se për ne nuk është e mundur”, dhe ka thënë:
“Në këtë rast Air Serbia ishte dashur t’i nënshkruaj dokumentet me shtetin Kosovë. Ishte dashur të nënshkruaj kontratë me aeroportin
“Adem Jashari”, por edhe me Kosovën si me shtetin, të pranojmë se hapësira ajrore nuk është nën kontrollin tonë. Prandaj kemi kërkuar dhe kemi luftuar që të kyçet KFOR-i, dikush i cili me Rezolutë të KB është paraparë për këtë hapësirë”, ka pretenduar Vuçiq.
“Kemi arritur të gjejmë një zgjidhje kompromisi ku askush nuk mund të thotë se e kemi njohur Kosovën. Ata të cilët e thonë këtë, nuk dinë asgjë”, ka thënë ai.