Për pesë ditët në vijim pritet të ketë mot stabil, kryesisht me diell, ndërsa në vise të ulëta ka mundësi të ketë mjegull, sipas Prishtina Weather.
Fusha të fuqishme anticiklonike që po përfshijnë Europën perëndimore dhe qendrore, gjatë ditëve në vijim do të shtrihen edhe mbi rajonin tonë, ku do të kushtëzojnë mot stabil, kryesisht të kthjellët dhe pa të reshura.
Ditëve të para të javës mbi vend do të mbizotërojnë masa të ftohta ajrore, që sjellin mot më të ftohtë.
Ditën e mërkurë dhe të premte nga Mesdheu do të depërtojnë masa të ngrohta ajrore që do të rrisin temperaturat maksimale përreth vlerave mesatare, thotë faqja Prishtina Weather.
Ky është parashikimi për pesë ditët në vijim:
20.01 – Më ftohtë, kryesisht me vranësira. Në mëngjes ngrica. Në mbrëmje vende-vende priten kthjellime.
21.01 – Në mëngjes ngrica dhe pjesërisht vranët. Ditën ftohtë, kryesisht me diell.
22.01 – Kryesisht me diell. Në mëngjes ngrica, e në vise të ulëta mjegull, që vende-vende mbetet mund të mbetet përgjatë ditës.
23.01-24.01 – Të enjten pjesërisht vranët. Në mëngjes ngrica, e në vise të ulëta mundësi për mjegull ose mjegullinë. Ditën e premte, kthjellët dhe me diell. Në mëngjes ngrica, e në vise të ulëta mundësi për mjegull, që vende-vende mund të mbetet edhe gjatë ditës.
Temperaturat minimale do të luhaten nga -7C deri -4C, ndërsa maksimalet nga 2C deri në 5C. Në viset e ulëta të mbuluara me mjegull edhe gjatë ditës, maksimalet do të jenë më të ulëta se vlerat e parashikuara.
Do të fryjë erë e lehtë dhe mesatare nga veriu dhe verilindja 1-5m/s.
Shtypja atmosferike do të rritet shumë lartë mbi vlera normale, e nga dita e mërkurë do të pësojë rënie, mirëpo mbetet e lartë.