Një 35-vjeçar në Milano të Italisë është dënuar me 20 vjet heqje lirie për vrasjen e vjehrrit, i cili duket se kishte abuzuar me vajzën e tij të mitur.
Edhe bashkëpunëtori ka marrë një dënim me 18 vjet vetëm, sepse e shoqëroi me motor në vendin ku u krye vrasja. Prokuroria kishte kërkuar burgim të përjetshëm për 35-vjeçarin.
Vjehrri i tij 63 vjeç kishte ardhur pak ditë përpara ngjarjes në Milano nga Napoli për të marrë pjesë në seancën gjyqësore, ku ishte dëgjuar fillimisht vogëlushja e cila ka rrëfyer abuzimet e pësuara prej gjyshit.
Edhe pse ishte në qytet, i moshuari nuk u paraqit në seancë. Babai i vajzës e ka ndjekur në vendin ku qëndronte, e ka thirrur dhe i ka kërkuar të flasin privatisht, pas një furgoni të parkuar. Por me të mbërritur aty, i ka shkrepur katër plumba në gjoks.
Bashkëpunëtori i tij e ka pritur dhe janë larguar të dy me motor. Vetëm pak minuta pas mbylljes së seancës, e ëma e vajzës kishte marrë një mesazh nga ish partneri i saj, i cili e pyeste se ku ndodhej fëmija. Sipas akuzës, ai donte të sigurohej që vogëlushja të mos ishte aty rrotull në kohën e krimit.