Ministri i Diasporës Pandeli Majko ka mbajtur sot një fjalim të ndjerë përballë liderëve kosovarë dhe presidentit Ilir Meta, gjatë ceremonisë së mbajtur në Prishtinë të falënderuar shqiptarët për përkrahjen gjatë periudhës së luftës. Majko tha se nuk është koha për falënderime pasi vëllezërit duhet të jenë pranë njëri tjetrit në ditë të vështira.
“Ne që kemi qenë në drejtim të institucioneve në atë periudhë të vështirë thjesht kemi bërë detyrën tonë ka pasur ca të tjerë që këtu në Kosovë, pa pasur një lloj detyre, zyrë, apo institucion luftuan për lirinë e kombit shqiptar sepse në thelb liria e Kosovës ishte liria e Shqipërisë, në këtë kontekst ajo çfarë ndodhi në 1999 ishte ajo që rëndom ndodh për cilindonjeri. Çdo kush përkufizohet nga ditët e vështira. Nuk besoj se na përkufizojnë ditë të mira.
Kam këtu përballë njerëz që janë vetëpërkufizuar nga ajo periudhë, presidentin e Kosovës që nuk e dinte që do bëhej president. Kam përballë kryeministrin e Kosovës.
Kam përballë Albin Kurtin. Nuk besoj se në burgun e Serbisë mendonte se do vinte një ditë që do ishte kandidat pë kryeministër. Nuk kemi këtu Ibrahim Rugovën dhe shumë të tjerë që bënë detyrën e tyre. Ndihemi mirë por ndihemi edhe keq kur na falenderoni sepse ne jemi ”vllau” dhe vllau edhe falenderohet edhe nuk falenderohet.
Tani a të mërzit ndonjëherë vllau, edhe të mërzit. Si i thoni ju në Kosovë vllau si shkjau. Duhet ta durojmë njëri-tjetrin dhe të kutjojmë ato ditë të vështira që përcaktuan se kush jemi”, tha Majko.
Ai solli në vëmendje se si në vitin 1999 bashkë me liderët e tjerë në Shqipëri u bënë bashkë pavarësisht bindjeve të ndryshme politike. Majko tha se duhet të falim dhe të ndryshojmë për të qenë gjithmonë bashkë sepse Shqipëria dhe Kosova nuk bëjnë dot pa njëra tjetrën.
“Se bashku me Ilirin, edhe shume te tjerë, mes te cilëve edhe ai qe është sot kryeministër i vendit Rama, mblidheshim a ishim aq te bindur, edhe te forte, ju siguroj qe ishim te shqetësuar, te frikësuar se do na kujtohej emri brez pas brezi për te keq, por nuk mund te le pa thëne atë qe tha Presidenti Meta, u mblodhëm te majte e te djathte, komuniste balliste, legaliste.
Me Sali Berishen ishim gati te vriteshim ne ’97, por pas masakres se Recakut, u mblodhem, i thirrëm te gjithe partite e opozites dhe fjalia qe thame ishte: Kur serbet na vrasin ne duhet të bashkohemi. Mendoj se tanimë në një kohë tjetër, ne në keto kushte te veteperkufizimit tone, nga momenti i veshtirë duhet te shikojme pak me larg.
Unë nuk jam nga ata qe fal kollaj, por ja qe kam filluar ta bej. E kam të vështirë të udhëtoj në disa kryeqytete të rajonit, e kam të vështirë mirëkuptoj konceptet e lëvizjes së lirë, por filloj të korrigjoj koncepte që deri dje i kisha të paprekshme. Por duhet ta bëj se duhet të ndryshojmë. Në ’99 e kuptuam se nuk bënim dot pa njëri-tjetrin, e unë kam ardhur t’iu them se ne duhet te jemi gjithmonë bashke”- tha ai.