Në Kosovë ishte çoban e punonte ndërtimtari. Por jeta e të riut kosovar, Pajtim Osmanaj, ka ndryshuar për 180 shkallë. Ai tashmë jeton në Amerikë dhe punon për kompaninë gjigante të ‘Facebook’-ut.
Djali i ri e simpatik do të bënte një jetë modeste, deri në vitin 2013-të kur do të nisej drejt Amerikës. Atje do të përballej me shuplakat që jep arti, konkurencën, të pistat por edhe në fund, sukseset e pashmangshme për atë që punon dhe, siç themi ne shqiptarët, ‘e nxehë karrigen’.
Modestia dhe gegnishtja e një shqiptari nuk i është zhdukur edhe pse tash jeton në një frekuencë më ndryshe. 98 përqind e ditës së tij në New York është e mbushur me art dhe një përqindësh i mbetur i mbetet për çkado tjetër, si çdo artisti që ndoshta nuk ka dëgjuar tash e shumë kohë për fjalën pushim e relaksim.
Lidhja e tij me Kosovën qëndron e fortë. Artisti nga Kosova, i cili në Amerikë po e merr definitivisht vendin që e meriton, së fundmi bashkëpunoi edhe me Facebook – me programin artistik rezidencial të rrjetit të madh social.
E bukura e Osmanajt është vetë zemra e tij, pashmangshmërisht e lidhur me Kosovën, duke rezonuar edhe në punët e tij që gati gjithmonë, një fije të perit diku e kanë me Kosovën tonë, luftën, emocionet, jetën në një kohë tjetër, të vështirë.
Po e sjellim sot një intervistë me Pajtimin, duke iu njoftuar me të por edhe duke ua sjellë punët e tij më të mira artistike.
KultPlus: Po e nisim me suksesin e fundit, pjesëmarrjen në rezidencën e Facebook. A na tregon më shumë, prej fillimit e deri në fund si arrite të bëhesh pjesë?
Në muajin mars të vitit 2018-të isha pjesëmarrës në Spring Break Shoë, ku morra pjesë me veprën e titulluar ‘Ekskurzion’. ‘Ekskurzion’ është një vepër e formës instalacion interaktiv ku si temë kam shtjellu udhëtimin tim dhe të familjes time nga Kosova në Mal të Zi, gjatë luftës, në vitin 1999. Kuratore e ekspozitës ka qenë Sarah Han, një kuratore e re nga Neë York.
Me këtë ekspozitë morra kritika të ndryshme, fatmirësisht kritika pozitive. Spring Break Shoë ishte për mua ekspozimi i parë në një nivel më të lartë në fushën artistike në Neë York, ku edhe krijova lidhje të reja artistike dhe morra oferta të ndryshme për ekspozita në të ardhmen.
Pra nisën të hapeshin rrugët.
E këtu edhe lindi bashkëpunimi me Facebook, ku kuratorja për programin e artit nga Zyra e Facebook – Tamara Ëeg, më ftoi të bëhesha pjesë e projektit të ardhshëm që do të mbahej në Zyret e Facebook në Neë York. Aty pata mundësinë të krijoj tri murale/piktura të formatit të madh, dy prej tyre 13×5 ndërsa tjetra ishte 8 metra me 3 metra. Tematika e tri veprave lidhet kryesisht rreth nostalgjisë për kohën e kaluar, për kujtimet dhe se si ato dhe e tashmja i japin drejtim të ardhmes.
Realizimi i tri pikturave ka zgjatur shtatë javë punë, pesë javë në studio dhe dy javë të tjera instalim në Zyrën e Facebook.
KultPlus: Shumë shpesh Kosova është fokus i punëve tua artistike? Sa e fortë është lidhja jote me Kosovën, pasi ajo gjen vend në punët tua artistike?
Lidhja ime me vendin ku jam rritë është shumë e gjallë. Familja dhe pjesa më e madhe e njerëzve që i njoh jetojnë në Kosovë, gjithçka që unë e kam përjetu deri në moshën 23 vjeçare është pjesë e jetës dhe përditshmërisë sime sot.
KultPlus: Në vitin 2013-të shkove në Amerikë, fillimisht si punues në ndërtimtari? Si u gjete, si u zbulove ti ?
Fillimi i jetës në Amerikë ka qenë shumë interesant, nuk kam pasur shumë njohuri për Neë York, për Amerikën në përgjithësi, ishte ndryshim i madh e sidomos nëse vjen prej batallinave të Istogut në Times Square të Neë York.
Në fillim është dashur me gjetë punë, për me fillu një jetesë normale. Me u rritë në Kosovë asht kan zor dhe shyhret, një eksperiencë jetësore njëkohësisht, jemi rritë në rrethana të ndryshme që besoj mu më kanë ba më të përgatitun për jetë. Njëra prej këtyre përvojave është kur axha apo komshija të kanë thirrë ‘me qit plloq e me maru cement’.
KultPlus: Meqë jemi te plloqa e cementi, e ke përdorur artin duke e lidhur me punën në ndërtimtari… Na trego më shumë për Construction Stories – Tregimet e Ndërtimit?
Cementin e dijnë plot gjenerata në Kosovë. Në fillim pra fillova me punu në ndërtimtari, në Amerikë, gjatë asaj kohe fillova me mësu më shumë për Neë York.
Në ndërtimtari gjatë kohës së lirë pikturoja në muret e ndërtesës, kryesisht ishte për me eksperimentu në art dhe materiale të ndryshme që gjendeshin aty. Pas një kohe, pata edhe intervistën në Neë York Times për punët e mia që i kisha realizu në fushën e ndërtimtarisë, dhe ky ka qenë momenti pas së cilit jam mundu me u aktivizu më shumë në fushën e artit në Neë York. Njëkohësisht ende punoja në ndërtimtari. Eksperienca në ndërtimtari ka qenë jo e lehtë, por e mrekullueshme, pata mundësi me eksperimentu me materialë të ndryshme.
Teknikat që i kam hulumtu asokohe në art i përdori edhe sot në veprat e mia.
KultPlus: A ke pasur karrierë artistike në Kosovë para se të largohesh për në Amerikë? A do të kishe të njëjtin nivel artistik po të rrije në Kosovë?
Në Kosovë kam pasur karrierë të gjatë si çoban. Dëshira dhe andrra ishte e madhe por jo, në Kosovë nuk kam pasur karrierë artistike.
KultPlus: Si është një ditë e zakonshme e Pajtimit në Nju Jork? A është Nju Jorku vendi i duhur për një artist, për të krijuar kontakte dhe rrjet?
Gati çdo ditë asht ndryshe ndryshe, filloj ditën me një filxhan kafe në banesë ose studio, pjesën më të madhe e kaloj në studio duke punu, pjesën tjetër në vende të ndryshme kryesisht nëpër Neë York: nëpër galeri, evente të ndryshme artistike të cilat janë shumë të rëndësishme për krijimin e rrethit shoqëror artistik.
KultPlus: Me cilat mediume po punon më shumë së fundmi? Punët tua interesante janë skulptura, instalacione e medium tjera. Sa e gjerë është fushëveprimtaria jote dhe cilat janë planet e Pajtimit, a do të të kemi me ekspozitë edhe në Kosovë?
Gjate viteve të fundit kam eksperimentu për me e bo të mundshme që teknikën time që e përdori të kem mundësi me apliku më pas në forma të ndryshme artistike: në pikturë, në kollazh, në instalacion, në skulpturë e forma e mediume tjera.
Pas projektit me Facebook e kam pasur një ekspozitë personale në një galeri në East Village Neë York, ku kuratore ishte Gabrielle Sirkin.
Për momentin jam duke kalu kohën më të madhe në studio në punët e reja artistike. Kam disa oferta të ndryshme nga disa galeri në Europë, por jemi në diskutim e sipër. Në Kosovë sigurisht që do të jetë kënaqësi kur të vije rasti që të ekspozoj, për momentin nuk ekziston si plan por së shpejti besoj diçka do të ketë të re në këtë drejtim.
KultPlus: Cili është mesazhi yt për artistët e rinj në Kosovë, që synojnë të dalin në pah në vend apo edhe jashtë vendit?
Mesazh i thjeshtë: Mos me e ndalë punën artistike pa marrë parasysh rrethanat. Eksperiencat jashtë vendit janë gjithmonë të rëndësishme dhe të nevojshme. E di që në Kosovë jo secili artist ka mundësinë me dalë jashtë vendit për përvoja më të mëdha por mbes me shpresë që artistët tjerë, ne që patëm fatin me jetu në metropole artistike, me programe të ndryshme në të ardhmen me u mundu me e sjellë kulturën dhe eksperiencat artistike në Kosovë.