Festa e ndërrimit të moteve këtë vit ka qenë më e qetë dhe me më pak persona të lënduar nga përdorimi i mjeteve piroteknike. Në 12 orët e fundit, në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kërkuan ndihmë 166 persona, e prej tyre gjashtë ishin të lënduar nga përdorimi joadekuat i mjeteve piroteknike e një nga plumbi qorr.
Shumica e personave që ishin dërguar në Emergjencë në natën e vitit të ri kishin probleme të tjera shëndetësore.
Naser Syla, shefi i ndërrimit në këtë klinikë, ka thënë për KosovaPress se në këto festime për Vit të Ri ka më pak persona që kanë kërkuar ndihmë mjekësore për lëndimet e marra nga fishekzjarrët apo edhe armët e zjarrit. Prej këtyre rasteve 5 janë liruar për trajtim në shtëpi pas marrjes së shërbimeve, ndërsa një person vazhdon të qëndrojë në Klinikën e Oftalmologjisë i cili për shkak të përdorimit jo të duhur të mjeteve piroteknike ka lënduar pjesën e syrit dhe është në rrezik për të humbur shikimin.
Në QKUK ka kërkuar ndihmë edhe një person i cili është plagosur lehtë në këmbë nga një plumb qorr.
“Gjatë 12 orëve të fundit kanë kërkuar ndihmë 166 pacientë, prej tyre kanë qenë 10 ndeshje komunikacioni dhe kanë qenë 6 raste të lënduar me mjete piroteknike, njëri prej tyre ka qenë me armë zjarri domethënë me plumb qorr.
Prej këtyre gjashtëve një është pranuar në Klinikën e Oftalmologjisë në gjendje e rëndë, kurse të tjerët kanë marrë trajtimin adekuat dhe janë dërguar në shtëpi për trajtimin e mëtutjeshëm. Rastet që kanë qenë këtu, kanë qenë të lëndimeve të ndryshme me probleme abdominale, me probleme të ndryshme, mirëpo sa i përket lëndimeve që na kanë përcjell viteve të fundit më së tepërmi me mjete piroteknike e armë zjarrit në ndërrimin e motmoteve apo festave këtë vit ka qenë numri më i vogël”, ka thënë Syla.
Edhe Policia e Kosovës ka vlerësuar se siguria në vend gjatë natës së 31 dhjetorit 2019 dhe 1 janarit 2020 ka qenë e qetë.