Përmes një komunikate për media, është bërë e ditur se nesër mbahet kuvendi i jashtëzakonshëm i punës, ku rreth 600 delegatë pritet të diskutojnë mbi procesin e reformave në Parti, pjesë e të cilit do të jetë edhe miratimi i ndryshimeve në Statutin e AAK-së.
Sipas ndryshimeve të dakorduara nga Këshilli i Përgjithshëm, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me ndryshimet statutare që pritet të miratohen nesër në Kuvendin e Punës, do të vendos kritere të reja të organizimit të AAK-së, duke përfshirë edhe organizimin në pesë degë të veçanta në Prishtinë, si dhe do të aplikohet parimi, një delegat-një votë, me cka në fakt hapet kapitulli i zgjedhjeve të reja në të gjitha nivelet e AAK-së.
Me ndryshimet e propozuara, hapet edhe gara për Kryetar të AAK-së, ku secili kandidat i propozuar për Këshill Drejtues, praktikisht është edhe kandidat potencial edhe për Kryetar të Partisë.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, synon që menjëherë pas këtij Kuvendi të Punës të fillojë procesin e reformave në Parti, për të qenë e gatshme që në çdo rrethanë të marrë përgjegjësi në procesin e shtetndërtimit dhe të zhvillimit të përgjithshëm të vendit”, thuhet tutje në komunikatën e partisë.
Kuvendi i Punës i AAK-së, i fillon punimet nesër, e diel 29 Dhjetor 2019.
E si zëvendësues i Ramush Haradinajt në postin e kryetarit të AAK-së, personi më i përfolur është vëllau i tij, Daut Haradinaj.
Njohësi i çështjeve politike, Shkodran Ramadani, kishte thënë për lajmi.net se se AAK është njëra nga partitë, njerëzit e së cilës kanë më së paku pretendime për të udhëhequr me subjektin.
Sipas tij, një situatë më të afërt të ndodhë, vëllau i Ramush Haradinajt, Daut Haradinaj mund ta marrë timonin e partisë.
“AAK është njëra prej partive me më së paku njerëz të cilët mund të pretendojnë me e udhëheq partinë me sukses, sepse lideri i saj është njeri me pushtet, lavdi ushtarake dhe familje patriotike. Pra është shumë zor me e zëvendësu dikush tjetër pos vëllaut të tij, Daut Haradinaj”, kishte thënë Ramadani.