Në seancën e sotme konstituive pritet të betohen deputetët e rinj, ndërsa është e paraparë edhe zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës. Kryetarin e propozon partia fituese që në këtë rast është Lëvizja Vetëvendosje.
Tashmë që nuk kemi marrëveshje mes dy partive të para, VV-LDK, në seancën konstituive mund të shohim vetëm betimin e deputetëve dhe jo zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarët për mungesë votash.
Procedurat e seancës së sotme i sqaroi në RTK, Artan Murati, njohës i punës së Kuvendit. Sipas tij seanca konstituive pritet të mbahet sot
gjatë ditës, por nëse nuk janë votat pas betimit të deputetëve, ajo mund të pezullohet deri kur të sigurohen ato për emërimin e kryetarit dhe kryesisë.
Sipas Muratit e drejta e propozimit për kryetar të Kuvendit i takon vetëm partisë së parë, Lëvizjes Vetëvendosje. Ai sqaron se në mbledhje jepet betimi i deputetëve që të mund të fillojë mbledhja e pas kësaj mund të kalohet në trupat zgjedhor të Kuvendit. Pastaj caktohet kryesuesi, deputeti më i vjetër në moshë dhe ai më i riu dhe dihet, thotë Murati, se ata vinë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Murati thotë se çdo shtyrje e konstituimit të Kuvendit dhe mos zgjedhje e kryesisë së saj është shumë e dëmshme dhe e kushtueshme për vendin.
Ai sqaron atë se edhe për shkuarjen e vendit në zgjedhje duhet shumë kohë, duhet që më par të konstituohet Kuvendi, që ai pastaj mund të shpërbëhet dhe më pas të caktohen zgjedhje të reja. Sipas Muratit, kjo do të merrte shumë kohë dhe do të kushtonte nga 4 deri në 6 milionë euro.
“Nuk e shoh të arsyeshme të flitet për zgjedhje kur dihet se ato kushtojnë të paktën 4 deri në 6 milionë euro”, tha Murati.