Fshati Krushë e Madhe e komunës së Rahovecit po përballet me mungesë të energjisë elektrike që nga dje.
Kjo si pasojë e erërave të forta, duke i dëmtuar shtyllat elektrike.
Rastin e ka konfirmuar edhe kryetari i këtij fshati Selami Hoti.
“Po nga dje jemi pa rrymë. E kemi të vështirë të përballemi me këtë situatë. Jemi duke qëndruar me llamba me ndonjë qiri. Po ngrohemi me batanije. Jashtëzakonisht keq. Jemi si në kohën e Migjenit “- tha Hoti.
Hoti shtoi se kjo e bën edhe më të keqe pasi për pushime kanë ardh edhe gurbetqarët nga vendet e ndryshme.
“Për pushime kanë ardhur edhe gurbetqarët, të cilët në vend të pushojnë duhet të përballen me këtë stres. Stresohu në kufij, e stresohu në shtëpi”-shtoi Hoti për KlanKosovën.
Ai theksoi se rasti është raportuar tek KEDS-i.
“Prishja ka ndodhur në një pjesë mes Krushës dhe fshatit Piranë të quajtur “Llazat”, aty janë dëmtuar disa shtylla. Rasti është raportuar te KEDS-i. Jemi në pritje”- theksoi Hoti.
Zëdhënësi i KEDS’it, Viktor Buzhala ka thënë se ekipet e terrenit kanë dal për ta rregulluar dëmin, por se dëmi është goxha i madh.
“Ekipet janë duke punuar në terren. Do të rregullohet në kohën sa më të shpejtë. Por dëmi është goxha i madh. Diku tetë shtylla janë të dëmtuara si pasojë e erërave të forta”- tha Buzhala.