Festat e fundvitit kanë kthyer kolonat dhe pritjet e gjata në kufijtë e Kosovës. Shumë mërgimtarë ia kanë mësyrë atdheut kryesisht përmes pikave kufitare me Serbinë, teksa kolonat në këtë pjesë kanë shkuar deri në tri kilometra
Në prag të festave të fundvitit janë rikthyer kolonat e gjata në pikat kufitare të Kosovës me Serbinë. Shumë bashkatdhetarë ia kanë mësyrë Kosovës për t’i kaluar këto festa në vendlindje, teksa një situatë e tillë në kufijtë e Kosovës krijohet çdoherë në prag të festave.
Nga dita e shtunë pritjet në kufijtë e Kosovës janë zgjatur nga 30 minuta deri në gjashtë orë për shkak të fluksit të madh të mërgimtarëve, që janë nisur drejt vendit. Po ashtu vlen të theksohet se kolona është stërzgjatur deri në tri kilometra, shkruan Zeri.
Vetëm në Merdarë gjatë ditës së djeshme pritjet në kufij kanë shkuar deri në gjashtë orë, sipas matjes së bërë në orën 14:00. Sipas Qendrës
Kombëtare për Menaxhimin e Kufijve, kolonat në këtë pikë kufitare kanë shkuar deri në tri kilometra, gjë e cila bëri që shumë mërgimtarë të mbesin me orë të tëra në veturat e tyre pa hyrë në territorin e shtetit amë.
Edhe në Mutivodë pritjet ishin të gjata. Sikurse në Merdarë, edhe në këtë zonë bashkatdhetarët kanë pritur deri në tri orë për të hyrë në territorin e Kosovës. E kolona në këtë zonë kufitare shkoi deri në 1.2 kilometra.
Pritje të gjata nga e shtuna ka pasur edhe në pikën kufitare me Serbinë, në Jarinjë. Edhe në këtë pjesë qytetarët është dashur të presin deri në dy orë për të hyrë në territorin e Kosovës, teksa kolona ka shkuar deri në një kilometër.
Ndërsa në Muçibabë dhe te Dheu i Bardhë hyrjet në territorin e Kosovës ishin më të shpejta sesa në pikat kufitare të lartcekura. Në këto dy pika kufitare koha që duhej pritur bashkatdhetarët ishte deri në një orë. Në Muçibabë kolona u krijuan deri në 200 metra, sipas të dhënave të publikuara në orën 14:00. Teksa te pika kufitare te Dheu i Bardhë kolona shkoi deri në 500 metra e pritjet deri në një orë.
Në anën tjetër, me fat ishin qytetarët që dolën nga Kosova drejt territorit të Serbisë e ku daljet nga pikat kufitare nuk kanë zgjatur më shumë se pesë minuta. Në pikat kufitare me Shqipërinë, me Malin e Zi dhe me Maqedoninë pritjet në pikat kufitare janë të vogla. Në këto pika kufitare pritjet zgjasin nga 3 – 5 minuta.
Sipas reagimeve të shumë mërgimtarëve në rrjetet sociale, u raportua që kolona të automjeteve dhe pritje të gjata të mërgimtarëve kosovarë janë regjistruar mëngjesin e djeshëm edhe në vendkalimin kufitar mes Hungarisë dhe Serbisë. Nën temperatura të ftohta secili autobus në kthim për në Kosovë në këtë pikë kufitare u është nënshtruar kontrolleve të rrepta dhe të gjata.
Gjendje e tillë është krijuar edhe më parë në prag të festave tjera. Për çdo 17 Shkurt, për 28 Nëntor, për festat e Bajramit, si dhe gjatë sezonit të verës shtohen pritjet në këto pika kufitare.