Arritja e marrëveshjes ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, për koalicionin qeverisës, ditët e fundit duket se ka marrë një kthesë dramatike.
“Ftohja” e raporteve mes Albin Kurtit e Isa Mustafes ka bërë që edhe takimet mes tyre të ndalen. Takimi i fundit i dy krerëve të partive politike nuk kishte sjell marrëveshje, sepse çështja e presidentit është bërë “mollë sherri” për të cilën Vetëvendosje nuk po lëshon pe.
LDK më ngulm po kërkon një besim për qeverisje, duke thënë se Vetëvendosje po tregon mosbesim dhe kjo po ndikon negativisht në arritjen e marrëveshjes përfundimtare në me VV-së dhe LDK-së.
Kështu ka vlerësuar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, e cila ka shpjeguar se koalicionit qeverisës i duhen vetëm 6 minuta për të arritur marrëveshje, duke nënkuptuar kështu që vetëm 6 ditë kanë mbetur deri në seancën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
“Bota sot”: A mendoni se kemi ftohje raportesh mes VV-së dhe LDK-së?
Besa Gaxherri: Nuk mund ta mohoj se po ndodhë, ndoshta jo një ftohje e raporteve siç e quani ju, por për mua është edhe ma shqetësuese është një lloj mosbesimi që reflekton shumë negativisht. Mosbesimi mes partnerëve që duan të lidhin koalicion kjo nuk guxon të ndodh dhe as që duhet të ndodh për arsye se Vetëvendosje që sa vite është proklamuar se ka qëllime shumë pozitive dhe shumë kundër këtyre veprimeve negative që ndodhin në Republikën e Kosovës dhe ka përzgjedhur të vetmin partner Lidhjen Demokratike të Kosovës. Që më shumë se një vit Vetëvendosje është përcaktuar për LDK-në dhe sot kemi kështu një mosbesim nga Vetëvendosje për Lidhjen Demokratike të Kosovës, për arsye se ngecja është te presidenti e që vetëvendosja sugjeron shumë shpesh person të tretë jashtë këtyre dy subjekteve politike.
“Bota sot”: Cili mund të ishte emri më i duhur për president?
Besa Gaxherri: Si mund të ndodh që Vetëvendosje mund të pranojë një president një person që farë nuk e ka partner, por jo një personalitet nga LDK-ja nuk mund ta pranoj dhe kjo është zhgënjyese dhe ka mosbesim këtu. Sepse Vetëvendosje, dhe po ashtu edhe LDK janë përcaktuar vetëm për një partner dhe publikisht këto dy subjekte kanë pranuar njëri tjetrin si partner dhe në këtë qeverisje janë vetëm këto dy subjekte shtuar edhe minioritet që i përcakton Kushtetuta.
LDK nuk ka nevojë ta pranojë të tretin person në këtë marrëveshje politike as nuk mund të ndodh që i treti mund të ndërhy në këtë marrëveshje politike e cila është e proklamuar tash e një kohë se LDK dhe VV do të qeverisin bashkë dhe do ti ndajnë të gjitha postet politike. Dy partitë që duan të bëjnë marrëveshje kanë kuadro të mjaftueshme për të gjitha pozitat dhe kështu nuk na duhet personi i tretë as nga shoqëria civile as ndonjë emër tjetër por në këtë rast po mungon besimi nga VV.
“Bota sot”: A është vetëm çështja e presidentit për mos arritjen e marrëveshjes?
Besa Gaxherri: Të dy partitë kanë një program shumë mirë të harmonizuar dhe janë dy subjekte serioze kredibile dhe janë shumë persona në të dy partitë politike që kanë vullnet të mirë por ka ngec diku dhe ky është sinjali i mosbesimit. Aty ku nuk ka besim nuk mund të këtë suksese.
Të çështja e presidentit është ngecja që ka mbet apo u zgjedh dhe mendoj se Vetëvendosje nuk ka arsye për ketë sepse dy subjektet do të udhëheqin këtë mandat dhe ne si LDK po japim shembull që ky koalicion me vazhdua për arsye se Kosova nuk mund të këtë progres me qeverisje dy apo tri vjeçare. Kosova nuk ka kohë më humb dhe vendi nuk ka kohë me shpall zgjedhje çdo dy vite prandaj ne kemi menduar se duhet të krijohet besim mes vete dhe duhet të ndahet pushteti në të barabartë, besimi krijohet kur gjerat ndahen në mënyrë të barabartë dhe punojnë në mënyrë të barabartë.
“Bota sot”: A mendoni se brenda 6 ditë deri në seancën e konstituimit të Kuvendit mund të arrihet marrëveshja mes VV-së dhe LDK-së?
Besa Gaxherri: Nëse do kishte vullnet e që duhet të këtë dhe zotërinjtë duhet ta gjejnë vullnetin ku është e ku nuk është por 6 minuta nuk vyen më shumë për me bë marrëveshjes sepse programi është harmonizuar. Për herë të parë dy parti politike krejtësisht të ndryshme me ideologji edhe më programet dhe janë ulur e kanë harmonizuar programin dhe cilat parti kanë pasur shumë probleme mes vete dhe ketë sigurisht nuk e harron LDK-ja, edhe pse e kemi lenë pas ketë çfarë ka ndodh dhe po shikojmë përpara, megjithatë kjo është një shembull se si LDK-ja ka arritur ti tejkalojë problemet dhe ti tregoj partnerit të koalicionit se ne mund ti besojmë njeri tjetrit por ti duhesh të japësh sinjal për me besua sepse Vetëvendosje duhet të jap sinjal që më i besua LDK-ja.
Po presidenti është post politik duhet të ndahet mes dy partive por që për mos më ja dhanë LDK-së presidentin po ja japin një të tretit dhe kjo është shumë shqetësuese.
“Bota sot”: Cilën nga pozitën e synoni më ardhjen ne Qeveri të LDK-së
Besa Gaxherri: Ne nuk mund të synojmë asnjë post politik aty,ne vërtetë kemi nevojë për ketë marrëveshje dhe që të ndahen postet politike edhe ajo çështje diskutohet dhe kryetaret e partive e kanë ketë përgjegjësi që më përzgjedh ekipen e vet. Unë kam thënë gjithmonë dhe e them prapë se nëse partia mendon për një dikaster të caktuar dhe unë mendoj se mund t`ia dal në atë punë dhe mund të arrijë suksese do e shqyrtoj sepse kurrgjë nuk është absolute.