60 ditë pas konstitutimit të Kuvendit, nëse Albin Kurti si lider i partisë së parë të dalur nga zgjedhjet e gjashtë tetorit nuk arrin ta formojë Qeverinë, vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshëm.
Profesori universitar, Mazllum Baraliu, thotë se votimi i Qeverisë së re mund të vij në një apo dy seanca pas konstituimit të Kuvendit, konkretisht pasi që Presidenti do t’i japë këtë të drejtë partisë së parë.
Në përgjigjen e tij dhënë për arbresh.info, Baraliu sqaron se nuk ka ndonjë mundësi tjetër për t’i anashkaluar zgjedhjet në rast se partia
e parë, e dalur fituese, nuk arrinë të siguroj numrat për formimin e Qeverisë.
“Më 26 duhet të konstituhet Kuvendi dhe nëse s’shkojnë me marrëveshje dy partitë, atëherë Kuvendi konstituohet e pastaj i vjen radha Qeverisë. Në bazë të nenit 95 nëse Qeveria merr mandatin nga Presidenti ka 15 ditë që të bëj 61 deputet dhe të caktohet seanca e pastaj në seancën e parë, apo të dytë, mund të votohet Qeveria. Paraprakisht në seancën konstituive do të duhet të ketë marrëveshje nga këto dy parti pasi që s’mund të zgjidhet kryetari i Kuvendit. Nëse pas seancës së konstituimit të Kuvendit 60 ditë nuk arrin Qeveria të bëhet atëherë shkojmë në zgjedhje të reja”.
Por deri atëherë, sipas Baraliut, janë disa procedura që duhet të shterohen e pastaj të merret vendimi për të shkuar në zgjedhje.
“Nëse mandatohet Kurti për Kryeministër dhe nuk arrinë për 15 ditë ta bëjë qeverinë, atëherë i ka edhe 10 ditë të tjera ky kandidat ose ndonjë tjetër nga kjo parti ta bëjë. Nëse i tëri procesi dështon, janë 40 ditë hapësirë për të shkuar pastaj në zgjedhje të reja”.
Por, që Kurti të arrijë të drejtën për të formuar Qeverinë, së pari duhet t’i ketë numrat, të bëhet konstituimi i Kuvendit, thotë analisti Famir Sheholli.
“Që Kurti të fitoje të drejtën të provojë formimin e qeverisë, së pari patjetër duhet të zgjidhen organet e Kuvendit. Sepse, në rast të mos formimit të organeve të Kuvendit, atëherë vendi shkon automatikisht në zgjedhje brenda 40 ditëve. Nëse formohen organet e Kuvendit (kryetari, nënkryetarët etj) atëherë do të kemi pra mundësi reale të formimit të qeverisë VV-LDK, ose ndonjë koalicion tjetër. VV e ka mundësinë që përveç LDK-së të zgjedhe partner tjerë politik. Mirëpo, gjasat janë minimale që VV të pranojë koalicion me partitë tjera shqiptare në Kuvend, përveç LDK-së”.
Sipas Shehollit, në rast se Vetëvendosja nuk do i sigurojë 61 vota për formimin e Qeveris, është edhe një alternativ e dytë.
Por që këtu duhet të respektohen disa rregulla të Kushtetutës, thotë ai për arbresh.info.
“Nëse Kurti nuk mundet herën e parë të zgjidhet Kryeministër me 61 vota, atëherë mbetet trajtimi i herës së dytë kur Presidenti i vendit me interpretim Kushtetues të ketë mundësi që i dyti të provojë formimin e qeverisë, që i bjen që ka mundësi edhe LDK të jep propozimin për Kryeministër dhe në koalicion eventual me PDK dhe Nismën socialdemokrate dhe komunitetet të krijoj qeverinë e re, por me kusht që kryetari i Parlamentit të jetë i VV-së sepse kështu e thotë Kushtetuta. Presidenti nuk mund të këtë rol aktiv në krijimin e koalicionit qeverisës, por i përmbahet Kushtetutës së Republikës se Kosovës”.
Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje si partia e parë e dalur nga zgjedhjet gjashtë tetorit po negocion me partinë e dytë Lidhjen Demokratike të Kosovës për të arritur një marrëveshje për koalicion.
Kërkesa e LDK-së për përfshirje të postit të Presidentit në këtë marrëveshje ka ngritur pakënaqësi tek Lëvizja Vetëvendosje. Polemikat ndërmjet zyrtarëve kanë ngadalësuar edhe diskutimet ndërmjet liderëve të dy partive, Albin Kurtit e Isa Mustafës. Në këto polemika është përfshirë edhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, duke e quajtur Kurtin si të paaftë për të bërë koalicionin.