Kancelarja gjermane, Angela Merkel, është liderja më e pëlqyer në Republikën e Kosovës, duke lënë kështu mbrapa presidentin e Turqisë,
Recep Tayyip Erdogan dhe presidentin e SHBA’së, Donald Trump.
Një konstatim i tillë është nxjerrë nga një anketë e realizuar sfundi nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike, raporton Gazeta Express.
Në anketën “Politika Ndërkombëtare dhe Dialogu Kosovë-Serbi: Perceptimet e Qytetarëve të Kosovës” të nxjerrë në bashkëpunim me Konrad Adenauer Stiftung (KAS), të anketuarit janë pyetur edhe për një seri çështjesh të ndryshme.
Të gjeturat kryesore të kësaj ankete janë se kosovarët si partner kryesor shohin, SHBA’në, Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe.
Sa i përket liderit më të preferuar, Angela Merkel prinë me 63 %, Donald Trump i dyti me rreth 15 % ndërkohë i treti, Erdogan me vetëm 10 %.
Gjysma e të anketuarve ndërkohë besojnë se Kosova është dëmtuar nga fushata e Serbisë për tërheqjen e njohjeve.
Sa i përket taksës, rreth 44 % janë për heqjen e saj, ndërkohë 45 % mendojnë që një vendim i tillë duhet të mbetet në fuqi.
“Respondentët ishin të ndarë në mënyrë thuajse të barabartë në relacion me tarifën 100% ndaj Serbisë, ku rreth rreth 44% thonë se Qeveria e re e Kosovës duhet të heqë tarifën 100% për produktet serbe, krahasuar me rreth 45% që kanë deklaruar se tarifa duhet të mbetet”, thuhet në njoftimin e PIPS.
Për 69 % të të anketuarve, dialogu me Serbinë duhet përmbyllur në kufijtë aktual të Kosovës dhe me njohje reciproke.
“Rreth 23% besojnë se marrëveshja Kosovë-Serbi do të arrihet brenda vitit 2020, krahasuar me rreth 43% që besojnë se ajo do të arrihet brenda tre viteve, ndërkaq rreth 23% besojnë se ajo do të arrihet brenda pesë viteve”, thuhet në të gjeturat kryesore të PIPS.
Ndër të tjera, rreth 39 % besojnë se çështja e shkëmbimit të territoreve e ka dëmtuar pozitën e Kosovës karshi Serbisë në dialog.