Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit Sh.B. i cili dyshohet se ka keqpërdorur seksualisht një vajzë të mitur
Përmes një komunikate për media, Gjykata Themelore ka bërë të ditur se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Sh.B. e ka shfrytëzuar seksualisht të miturën L.S.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri në kohë të papërcaktuar duke shfrytëzuar moshën e re të miturës L. S., ka shfrytëzuar seksualisht, e cila për shkak të natyrës biopsikike, nuk ka mundur të gjykojë e të vlerësojë pasojat e një marrëdhënie seksuale”, thekson komunikata.
Po ashtu bëhet e ditur se për veprën penale me të cilën ngarkohet i dyshuari, parashihet dënim i lartë.
“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që ky është një rast i ndjeshëm dhe për këtë vepër parashihet një dënim mjaft i lartë”, thekson komunikata