Qershori i sivjetmë do të mbahet mend gjatë kohë prej familjes Nimani nga Peja, për tmerrin që përjetoi në Spitalin Amerikan në Prishtinë, në kërkim të shërimit të kryefamiljarit.
Dhjetë ditët e qëndrimit në këtë spital, për pacientin dhe familjarët e tyre, siç thonë, ishin ditë keqtrajtimi, mashtrimi, papërgjegjësie e neglizhence nga stafi mjekësor, që nuk do t`i harrojnë kurrë.
Përkundër se shpenzuan afro 10 mijë euro për shërimin e babait të tyre, djemtë e tij thonë se në Spitalin Amerikan në Prishtinë, veç shërim nuk gjetën. Përkundrazi, ata thonë se rrezikuan ta humbin prindin, i cili luftonte me vdekjen, si pasojë e trajtimit të pandërgjegjshëm mjekësor.
Teksa flasin për përvojën e tyre, anëtarët e familjes Nimani, ngrehin dyshime sesi një institucion i tillë shëndetësor është licencuar dhe lejohet të operojë në Kosovë duke eksperimentuar me pacientë deri në rrezikim të jetës së tyre, si pasojë e papërgjegjësisë profesionale.
PACIENTIT I VENDOSET STENTË NË ZEMËR, PËRKUNDËR SE KISHTE TË MBYLLURA ARTERIET E QAFËS
E tërë drama njerëzore e famijes Nimani nisi mëngjesin e 18 majit 2019 në Pejë, kur S. N., 69 vjeçar pësoi infarkt në tru.
Me rekomandim të mjekut të Spitalit të Pejës, ai u dërgua për trajtim në Spitalin Amerikan në Prishtinë.
Përkundër konstatimit mjekësor se problem kryesor i shkaktimit të sulmit ishin arteriet e mbyllura të qafës (karotideve) që e furnizojnë trurin me gjak, mjekët e Spitalin Amerikan ia vendosën pacientit një stentë në zemër.
“Mjekët e shohin që karotidet (arteriet e qafës) janë kryesore, por sipas tyre edhe zemra është dicka me rrahje të vogël. Thonë po mundohemi me rrit presionin e zemrës dhe duhet me bo një ndërhyrje fillimisht në zemër e pastaj me dalë të karotidet.”, rrëfen për Gazetën Sinjali, Leon Nimani, i biri i pacientit, i cili shton se me rekomandimin e mjekëve pranojnë që babait të tyre t’i vendoset stenta e tretë në zemër, pasi dy i kishte vendosur rreth tri vite më parë.
Leon Nimani thotë se mjekët përgjegjës për rastin e babait të tij ishin neuorologu, Blerim Myftiu, kardiologu maqedonas, Sasho Josimovski si dhe kardiokirurgu, Besnik Kojqiqi.
KRIZA SHËNDETËSORE E PACIENTIT PAS VENDOSJES SË STENTËS
Përkundër se në raportin mjekësor të epikrizës shkruan se pacienti ka dalë në gjendje të mirë nga salla operatore dhe se gjatë ditëve në vijim gjendja e tij ka qenë stabile, familjarët thonë se pas intervenimit me stentë në zemër, gjendja shëndetësore e prindit vetëm sa ishte përkeqësuar. Sipas tyre, babai nuk arrinte ta merrte veten, gjë që u provuan pak ditë pas operacionit.
“Kur e shoh te krevati, ai s’ka asnjë lëvizje, mezi që i bën lëvizjet. Moralisht për toke. Shikimin shumë të çuditshëm. Shihet që nuk është kërrkund hiç. Prej qehres, prej ngjyrës ishin shumë elemente që të bëjshin me dyshu që këta masakër kanë bo.”
MJEKËT INSISTUAN PËR LARGIMIN E PACIENTIT NGA SPITALI, SAPO DOLI U GODIT NGA INFARKTI NË VETURË
Familjarët thonë se përkundër gjendjes së rëndë shëndetësore të babait të tyre, mjekët e Spitalit Amerikan insistonin që ai të lëshohej nga spitali për në shtëpi vetëm tri ditë pas operacionit.
“Tanë kohën ata insistonin që ky nuk po e ndin vetën mirë te spitali për arsye se është i lodhun këtu dhe të vetmen mundësi dhe të vetmin sen më të mirin e mundshëm është që me marr me çu e me mbajtë nja një javë ditë te shpija dhe kur t`i vjen momenti për ndërhyrje te karotidet, atëherë me pru një ditë përpara, me arsyetimin deri ta merr veten e të stabilizohet gjendja.”, thekson Nimani.
Ai thotë se ky insistim, sidomos i neurologut, Blerim Myftiu, përkundër kërkesës së familjarëve për të qëndruar nën përkujdesjen e mjekëve, anipse me kosto të lartë, ngrehu dyshimin se gjendja nuk është në rregull.
“Edhe ai (Dr.Blerim Myfiu) prapë insiston, mu me më ndigju patjetër duhni me marr këtë me çu për në Pejë në shpi edhe në shpi kthjellet. Edhe na bindin në ditën e 10-të. Edhe na e hipim në kerr qat ditë. Kadal, kadale, hyp në kerr me këmbë të veta, prej kreveti deri te kerri.
S`janë shku 15 minuta, se na u nisëm në drejtim për Shkup, na e ka kap sulmi i dytë në kerr, ia murr anën e djathtë krejt, u paralizu, krejt. Tmerr e kemi pa unë, motra e dy vëllezërit. Tmerr, tmerr, tmerr!. Kemi kalu si të trentë nëpër kufi.”, thekson i biri i pacientit S. N.
RIKTHIMI NË JETË I PACIENTIT QË PA VDEKJEN ME SY
Leon Nimani shprehet pothuajse i bindur se po të mos ishte kujdesi i mjekëve në Maqedoni, babai i tij nuk do të jetonte më.
“Kur e kemi çu atje, ata më së pari na kanë thënë qysh keni guxu me shti në kerr ju këtë. Kjo ka qenë pyetja e parë. E kanë shti në intensivë për dy ditë që po të kallzoj mos t`ishin konë ata me qat trajtim me bo, ai s`kish ekzistu ma. Dy ditë intensivë, të tretën ditë e kanë shti në operim në karotide. E kanë mbajtë dy ditë në intensivë dhe për një javë ditë njeri ndryshoi.”
Leoni shton se operacionin që e kreu babai i tij brenda dy ditësh në Maqedoni, nuk arriti ta kryente për 10 ditë sa qëndroi në Spitalin Amerikan.
Për me tepër, ai thekson se mjeku që do të duhej ta bënte operacionin në arteriet e qafës, kardiokirurgu i Spitalit Amerikan,
Besnik Kojqiqi as që e kishte parë e vizituar babain e tij, për gati dy javë sa qëndroi i shtrirë në pavionin e këtij spitali.
“I thom një mjekut Besnik qysh asnjëhërë s`ke shku me vizitu babin se ai është për karotide aty. Thotë unë nuk kam nevojë më shku me pa pacientin se thotë unë i shoh prej dokumentave. Unë ia bëj, a është pacienti 100 km larg që s`mundesh me pa, e ki në të njëjtin spital?
Jo, thotë, unë nuk i ndërhyj kolegëve. Qysh more nuk i ndërhyn kolegëve kur ky është trajtim i përbashkët zemra, karotidet, gjaku dhe ju duhet me u konsultu mes veti çka me bo! Jo thotë, deri sa s`ma bijnë në repart temin! Ta merr mendja që reparti i tij ëshë në Kinë e ky në Amerikë. Ti aty e sheh që nuk funksionon kurrgjë hiç.”, thekson Nimani.
Këto pohime dëshmohen edhe në audio-incizimet që posedon Gazeta Sinjali nga takimet e mjekëve me familjarët e pacientit, biseda këto, të cilat do të zbardhen gjatë ditëve në vijim.
Të kontaktuar për këtë rast, zyrtarët e Spitalit Amerikan nuk kanë kthyer përgjigjur pothuajse në asnjërën prej pyetjeve konkrete, përveç një qëndrimi të përgjithësuar.
“Pacienti për të cilin keni shkruajtur në email, ndaj tij janë zbatuar të gjitha protokollet e nevojshme shëndetësore nga mjekët specialistë pranë spitalit tonë. Jemi të hapur ndaj çdo lloj kërkese për më shumë informacion nga institucionet e autorizuara me ligj. Çështjet e pacientëve, nuk bëhen mediatike nga ana e spitalit tonë, me qëllim të ruajtjes së privatësisë.”, thuhet në përgjigjen e Spitalit Amerikan.
Gazeta Sinjali ka provuar të kontaktojë me mjekun përgjegjës, neurologun Blerim Myftiu, kardiokirurgun, Besnik Kojqiqin, por kontakti me ta, ka qenë i pamundur.
As Spitali Amerikan nuk ka pranuar të ofroj kontaktet e asnjërit prej mjekëve as pas më shumë se dy javë pritje edhepse zyrtarja e shërbimit për konsumatorë, ka premtuar se do ta adresonte këtë çështje dhe do të na kthente përgjigjje.
Në telefon është përgjigjur vetëm kardiologu maqedonas, Sasho Josimovski, i cili ka mohuar se vendos stenta ndonëse të kundërtën e kishte pohuar gjatë takimit me familjarët siç dëshmohet në audio-incizime.
Gazeta Sinjali gjatë ditëve në vijim do të zbardhë audioincizimet e bisedave mes familjarëve dhe mjekëve të Spitalit Amerikan në Kosovë ku shihet papërgjegjësia, mashtrimi, tendenca për ikje nga përgjegjësia dhe neglizhenca e stafit mjekësor.