Policia e Kosovës ka arrestuar sot Princ Dobroshin, i vlerësuar si bosi i mafias shqiptare të drogës, nën dyshimin për përfshirje në një përleshje në Pejë të shtunën. Telegramisot.com
Në një komunikatë për media të hënën, Policia njoftoi se lidhur me përleshjen e raportuar të dielën në Pejë, ka arrestuar sot tre perona që ndodheshin në arrati.
“Pas një pune intensive operativo-hetimore hetuesit e Stacionit Policor në Pejë, kanë bastisur edhe tri (3) lokacione tjera dhe sot me datë 09.12.2019, kanë arritur të arrestojnë edhe dy të dyshuarit tjerë të cilët ishin në arrati”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Insajderi ka mësuar se në mesin të arrestuarve lidhur me këtë rast janë Princ Dobroshi, Artan Dobroshi dhe Valon Sadiku.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, përleshja fizike për të cilin dyshohen të jenë përfshirë Princ dhe Artan Dobroshi, si dhe Valon Sadiku, ka ndodhur të shtunën e 7 dhjetorit në rrugën “Lekë Dukagjini” në Pejë.
“[…] ka ndodhur një përleshje fizike mes disa personave, si pasojë një person ka pësuar lëndime trupore dhe është hapur rasti ‘lëndim i lehtë trupor’, gjatë hetimit të rastit hetuesit e Stacionit Policor Pejë në koordinim të plotë me prokurorin e Shtetit kanë kryer bastisje në tri (3) lokacione”, ka njoftuar Policia të hënën.
“Gjatë bastisjes në depon e njërit nga personat e dyshuar, është gjetur dhe konfiskuar një Pistoletë e tipit ‘Stoeger Cougar 9mm dhe 13 fishekë 9mm. dhe është hapur rasti ‘Mbajtje në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”.
Tre të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh nga prokurori i rastit, njofton Policia e Kosovës.
Princ Dobroshi njihet për aktivitetin e tij në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Në vitin 1993, ai ishte kapur në Norvegji dhe më 1994 ishte dënuar me 14 vjet burg për përfshirje në trafikun e drogës, përkatësisht heroinës.
Më 1997, Dobroshi ishte largua nga burgu Ullersmo i Norvegjisë. Më 23 shkurt 1999, ai ishte arrestuar në Pragë të Republikës Çeke. Në gusht të vitit 1999, Dobroshi ishte dorëzua në Norvegji për të përfunduar vitet e dënimit. Ai ishte liruar me kusht dhe ishte dëbuar nga Norvegjia në janar të vitit 2005.
Dobroshit, po ashtu, i ishte ndaluar hyrja në vendet e Bashkimit Evropian.
Autoritetet policore në Norvegji e në Republikën Çeke, vende këto ku Dobroshi kishte vepruar, e kishin vlerësuar si bosin e mafies shqiptare të drogës. Mediat në këto vende e kishin pagëzuar me nofkën “Peshkaqeni”.