Ish-prokurori Agron Matjani është gjetur i vdekur në banesën e tij në Prizren. Rasti po cilësohet si vdekje e dyshimtë, raporton Express
Rastin për Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Prizrenit, Shaban Osmanollaj.
“Ne e kemi një rast të vdekjes së dyshimtë që jemi duke e trajtuar në Prizren. Rasti është raportuar nga familjarët e tij. Vdekjen e ka konstatuar mjeku kujdestar që ka dalë në vendin e ngjarjes, pastaj kanë dalë hetimet rajonale, forenzika dhe prokurori.
Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, ka thënë Osmanollaj për Express.
Ndryshe, Matjani ishte duke u gjykuar nën akuzat e Prokurorisë se në disa raste penale, në cilësinë e personit zyrtar – prokuror, në mënyrë drastike e ka zbutur kualifikimin penal të veprës, në kundërshtim me ligjin, dhe në këtë mënyrë për kryesit e veprave penale ka siguruar dënime shumëfish më të lehta sesa e parasheh ligji për veprat penale të cilat i kanë kryer.