Gjëja më pozitive që pash prej që jam këtu, janë zgjedhjet e 6 tetorit. Unë mendoj se LDK dhe Vetëvendosje janë të përkushtuar që të funksionojë partneriteti mes tyre. Jam i sigurt se ky koalicion do të formohet efektivisht. Mendoj se është e qartë se populli votoi për ndryshim me 6 tetor.
Mesazhi im për z. Kurti dhe të tjerët është të luftohet korrupsioni. Albin Kurti ka ndryshuar. Ai është shumë inteligjent dhe shumë i pjekur. Lista Serbe është realitet. Në kuadër të dialogut, nëse Kosova dhe Serbia pajtohen të flasin edhe për shënimin e kufijve, për ndryshime shumë të vogla, ne nuk do të themi prerazi jo. Ambasadori i SHBA’së në Kosovë, Philip S. Kosnett, flet për Express.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, thotë se, nëse bazohemi në krijimin e qeverive të mëhershme, LDK e Vetëvendosje kanë akoma kohë për të negociuar. Ai shprehet i bindur se dy partitë, që deri dje ishin në opozitë, do të qeverisin së bashku dhe do të tejkalojnë pengesat për krijimin e Qeverisë.
Kosnett ka besim se kryetari i VV’së, Albin Kurti, do të tregohet konstruktiv në raporton me Listën Srpska, por edhe në raport me Presidentin Hashim Thaçi.
Për Express, ambasadori amerikan sqaron nëse SHBA’së i është bërë ndonjë propozim zyrtar për shkëmbim të territoreve nga Thaçi dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, ndërsa sqaron përfundimisht qëndrimin e amerikanëve për këtë temë.
Intervista e plotë:
Gazeta Express: Ka një vit që jeni në këtu. Cfarë ka diçka që ju gëzon dhe që ju hidhëron në Kosovë?
Kosnett: Mendoj që viti i fundit ka qenë një vit premtues dhe mendoj që pritshmëritë për një vit edhe më të mirë në 2020’ën janë të mëdha. Në ambasadën amerikane, ne flasim shumë për prioritetet e Amerikës për Kosovën, fushat ku ne duam të japim përkrahjen për popullin e Kosovës. Ne i ndajmë tri fusha kryesore: paqe, drejtësi dhe prosperitet. Në drejtësi; ne nuk flasim vetëm për luftën kundër korrupsionit, që është shumë e rëndësishme për njerëzit këtu, por po ashtu për barazi. Barazi në mundësi, barazi para ligjit, për të gjithë, pa marrë parasysh përkatësisë së tyre, gjinisë apo orientimit. Kur flasim për paqe, flasim për përmirësim të raporteve mes komuniteteve të ndryshme brenda Kosovës. Por, gjithashtu edhe përmirësimit të raporteve të Kosovës me fqinjët dhe shtetet e tjera. Dhe për prosperitet, ne flasim për zhvillimin ekonomik me fokus në punësim dhe mundësi për të rinjtë. Kështu që, unë shoh lëvizje pozitive në të gjitha këto fusha. Gjëja më pozitive mendoj që ishin zgjedhjet. Mendoj që me 6 tetor, njerëzit e Kosovës treguan se duan ndryshim. Ata duan më shumë mundësi për të rinjtë, ata duan që njerëzit e kualifikuar të kenë mundësi të ecin përpara. Janë të shqetësuar për drejtësinë dhe për korrupsionin, dhe këto fusha, sipas neve, janë të lidhura ngushtë me përmirësimin e raporteve të Kosovës me Serbinë dhe fqinjët e tjerë sepse ne mendojmë se paqja në rajon do të japë më shumë mundësi për mundësi për çdokënd në Kosovë.
Gazeta Express: Siç edhe ju përmendët, kemi parë zgjedhjet dhe kemi parë rezultatet. A tregoi Kosova në këto zgjedhje se ka demokraci më të zhvilluar se rajoni dhe a jeni të lumtur, jo për rezultatin e partive, por me mënyrën se si qytetarët e Kosovës vendosen t’i ndryshojnë gjërat?
Kosnett: Unë isha shumë i impresionuar. Mendoj se Kosova po tregon nga zgjedhje në zgjedhje se procesi për përmirësohet, se institucionet po e bëjnë punën e tyre, KQZ-ja po e bën punën e saj, gjykatat punën e tyre. Nuk do të thoja se zgjedhjet ishin të përkryera. Ne kishim disa raportime shqetësuese për përfshirjen e disa partive në frikësim dhe sjellje të pahijshme, por le të flasim për anën pozitive. Nuk ka pasur asnjë incident të dhunës në ditën e zgjedhjeve dhe jo çdo vend në këtë regjion mund ta thotë këtë. Unë mendoj se në fund ne ishim të kënaqur që rezultati final reflektoi vullnetin e popullit dhe mendimin e ndryshëm të popullit të Kosovës. Ne tash presim që kjo të kalojë përtej fazës politike dhe të shohim krijimin e qeverisë së re, pra të kalohet në fazën qeverisëse.
Gazeta Express: LDK dhe Vetëvendosje dështuan të arrijnë marrëveshje këtë javë. Tash kanë probleme në ndarjen e pozitave. Dy subjektet nuk janë pajtuar, sic kanë thënë, për ndarjen e pozitave. A mendoni se është e pranueshme që këto parti të flasin për pozitën e presidentit në këtë fazë?
Ambasadori Kosnett: Nëse e kemi në mendje sa ka zgjatur procesi i formimi i qeverisë në zgjedhjet e kaluara, është pak herët të themi se ata dështuan.
Gazeta Express: Por, ata kanë premtuar një marrëveshje shumë të shpejtë…
Kosnett: Unë mendoj se ata po punojnë me shumë mund në arritjen e një marrëveshjeje. Ne jemi në kontakt me njerëz nga këto dy parti dhe me partitë e tjera, po ashtu. Unë mendoj se LDK dhe Vetëvendosje janë të përkushtuar që të funksionojë ky partneritet. Qeveria ime, si çdokush në Kosovë, mezi presim që ky proces të ecën përpara sa më shpejt që mundet. Dhe, unë jam i sigurt se ky koalicion do të formohet efektivisht.
Gazeta Express: Por, çfarë për mënyrën se si po bëhen tash diskutimet, për pozitat. Dy partitë nuk arritën të pajtohen për shkak se LDK po kërkon një premtim, një marrëveshje, për postin e Presidentit. E dimë se si e zgjedh Kosova presidentin. A mendoni se këto dy parti duhet të flasin për pozitën e presidentit?
Kosnett: Nuk mendoj që më bën mirë mua që si ambasador i huaj, në këtë fazë të analizoj dhe të jap opinione për këtë. Ne kemi besim se këto parti dhe të tjerët që janë të përfshirë në këtë proces do ta gjejnë zgjidhjen për këtë.
Gazeta Express: Kemi pasur raste më parë, nëse përmendim zgjedhjen e Presidentes Atifete Jahjaga, si kandidate mjaft e parapëlqyer nga të huajt, nga ambasada juaj. Nëse LDK dhe Vetëvendosje nuk arrijnë të pajtohen në një të ardhme të afërt, a do të ndërhyjë ambasada juaj për të ndihmuar apo lehtësuar procesin ndërmjet këtyre partive?
Kosnett: Ky është skenar hipotetie për çka unë nuk jam i shqetësuar. Jam i bindur se dy partitë do të gjejnë zgjidhje për këtë. Dhe sinqerisht, mendoj se lexuesit tuaj janë më shumë të interesuar të dinë se cfarë do të bëjë qeveria e re se për këto hollësi.
Ambasadori Kosnett
Gazeta Express: Pra, cilat janë pritjet tuaja nga qeveria e re, ose cili është mesazhi juaj për partitë që fituan shumicën në Kuvend?
Kosnett: Mendoj se është e qartë se populli votoi për ndryshim me 6 tetor. Mesazhi për z. Kurti dhe të tjerët është të luftohet korrupsioni, të bëhet një qeveri më efikase, ta ketë fokusin më shumë në nevojat e njerëzve. Kjo është shumë e rëndësishme. Jam i sigurt se në javët ose muajt në vijim ata do të arrijnë t’i shohin dhe t’i kuptojnë këto premtime. Ne jemi më pak të shqetësuar se sa ministri do të marrë secila parti dhe kush do të jetë ministër , e më shumë jemi të shqetësuar se çka do të bëjnë. Ne shpresojmë dhe kemi pritje që qeveria e re të jetë e kualifikuar për të kryer punën e saj, që nuk do të kenë të kaluar kriminale dhe do të jenë njerëz që njëmend do ta kryejnë punën e tyre për të arritur gjëra në të mirë të njerëzve të Kosovës. Të arrijnë gjëra si taluftojnë korrupsionin, të ndërtojnë mundësi ekonomike.
Takohem rregullisht me njerëz të komunitetit të biznesit dhe e shoh se nuk ke nevojë të jesh pjesë e Qeverisë për të punuar për të ardhmen e Kosovës. Në veçanti, jam i mahnitur nga të gjithë ndërmarrësit e ri në fushën e teknologjisë. Ata nuk po kërkojnë shumë përkrahje nga Qeveria. Ata po provojnë ta bëjnë këtë shtet një vend të fuqishëm teknologjik. Takoj shumë njerëz që duan të bëjnë Kosovën si Singapori, Estonia, Izraeli. Kam jetuar në Kosovë më parë. Kam jetuar këtu 16 vjet më parë dhe njerëzit më pyesin se cfarë realisht ka ndryshuar në Kosovë. Dhe, unë gjithmonë filloj të flasë për këta të rinj të mahnitshëm, që flasin shumë gjuhë, që janë të arsimuar, të cilët do të ishin të suksesshëm kudo në botë dhe të cilët po e ndërtojnë të ardhmen në Kosovë.
Gazeta Express: Nëse kthehemi sërish të qeveria e re. z. Kurti ka thënë se ai do t’ua japë një ministri serbëve, por që nuk dëshiron të bashkëpunojë me Listën Serbe dhe se nuk e do këtë subjekt në qeverinë e tij. Si e shihni këtë?
Kosnett: Mendoj se Lista Serbe është një realitet politik. Jo çdo serb i Kosovës është përkrahës i Listës Serbe, por mendoj roli i saj…
Gazeta Express: Mirëpo ata kanë marrë 10 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Kanë 100 për qindëshin e serbëve në Kosovë tash për tash. Cili është komenti juaj për këtë?
Kosnett: Komenti im në këtë është se qeveria amerikane nuk është një parti politike në Kosovë dhe këto diskutime duhet të bëhen mes partive politike. Duke e thënë këtë, unë besoj shumë se z. Kurti e kupton mirë Kushtetutën e Kosovës. Ai e kupton rolin që luajnë partitë e minoriteteve. Dhe ai e ka thënë disa herë që ai synon të jetë kryeministër për të gjithë qytetarët e Kosovës. Kështu që besoj se ai duhet të flasë me shumë politikanë serbë të Kosovës, përfshirë këtu edhe Listën Serbe dhe ta gjej rrugën më të mirë.
Gazeta Express: Ndikimi i Beogradit në institucionet e Kosovës është evident, duke qenë Lista Serbe pjesë e këtyre institucioneve. Si e shihni faktin që një parti politike fiton të gjitha vendet e rezervuara. A e shihni këtë si demokratike?
Kosnett: Ka pasur raportime kredibile që na kanë shqetësuar lidhur me sjelljen jo të duhur të Listës Serbe dhe frikësimit të të tjerëve. Mund të harxhojmë kohë duke folur për këto, por çka mendoj se është e rëndësishme të kuptohet është se Lista Serbe nuk mund të injorohet. Është realitet politik që ka mbështetje të fuqishme. Jo 100 për qind të mbështetjes, por mbështetje të madhe nga serbët e Kosovës. Dua të rikujtoj diçka që kam thënë kur kam ardhur së pari në Kosovë, në një nga intervistat e mia të para një vit më parë, se kjo është një pyetje e përsëritur rreth rolit të Beogradit në politikën e Kosovës. Po, Beogradi ka shumë ndikim në Listën Serbe, shumë veta në Kosovë e kanë mëri këtë, e kuptoj. Por, mendoj se nëse Kosova vërtet e ndërton një të ardhme ku secili qytetar ndihet se ka hise në këtë shtet, ku zërat e tyre dëgjohen, atëherë ata do të shikojnë më pak kah shtetet fqinje për orientim politik. E pikërisht për këtë është e rëndësishme për SHBA’në që liderët politikë, të gjithë liderët politikë të Kosovës, të mos mendojnë vetëm për përkatësitë etnike të tyre, por për identitetin shtetëror të tërë vendit.
Gazeta Express: Këtu është diskutuar shumë një fotografi në një event të organizuar nga ambasada amerikane, ku ju shihni krah z. Albin Kurti dhe znj. Vjosa Osmani. Në media u raportua se me këtë ju sikur vendoset qeverinë e re. Pse vetëm ata dy në tavolinën tuaj, dhe a ishin të ftuar liderët e tjerë, sepse nuk e kemi parë as z. Thaçi as z. Haradinaj.
Kosnett: Ne kemi shumë takime. Mund të ju tregoj fotografi nga takimet e mia me Kadri Veselin, Hashim Thaçin, me Ramush Haradinajn. Nganjëherë kemi takime si në oda. Ku njerëz nga të gjitha partitë bëhen bashkë të takohën me vizitorë amerikanë. Kishim senatorë amerikanë. Së fundmi kishim të dërguarin special të SHBA-së, z. Grenell dhe ka takuar shumë njerëz. Ne takohemi në formate të ndryshme. Nganjëherë të gjithë së bashku, nganjëherë jo. Tash, më duket shumë e arsyeshme që ambasadori i huaj të takojë përfaqësuesit e dy partive që prijnë dhe po provojnë të formojnë Qeverinë e re.
Ambasadori Kosnett
Gazeta Express: Që të ndalemi te lideri i Vetëvendosjes, z. Albin Kurti. Ai ka pasur një raport interesant me administratat amerikane. Ai ka refuzuar pothuajse gjithçka që ka kërkuar ose ka përkrahur. Ka qenë kundër marrëveshjes së Rambujesë, kundër pakos së Ahtisaarit. Së fundmi ka qenë kundër Asociaicionit dhe Demarkacionit. Sa mendoni që do të jetë i lehtë bashkëpunimi me të dhe a mendoni se ai dhe partia e tij kanë ndryshuar? Nëse përmendim, një ish-ambasadore amerikane, Tracey Ann-Jacobson, pati thënë njëherë se është sulmuar edhe fizikisht nga aktivistë të VV’së gjatë një proteste. Pra, çka mendoni a ka ndryshuar kjo VV dhe lideri i saj?
Kosnett: Përgjigjja e shkurtër është po. Mendoj se z. Kurti e di shumë mirë për rolin që e luan një lider i opozitës për të sfiduar ide dhe për të krijuar politika është i ndryshëm nga roli që e luan si një kryeministër i shtetit, ku të duhet t’i bësh bashkë të gjithë në frymën e bashkimit shtetëror. Ai është njëri shumë inteligjent dhe shumë i pjekur. Ai ka bërë të qartë se Vetëvendosje ka lënë dhunën politike në të kaluarën. Është një parti e re, është një epokë e re. Pres me padurim për të punuar me të, ashtu siç kam punuar dhe bashkëpunuar me liderë të tjerë të partive politike në këtë shtet.
Gazeta Express: Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Z. Kurti ka thënë se do t’i drejtojë negociatat pasi foli fitues. Në anën tjetër është Presidenti Thaçi, të cilët nuk komunikojnë mes vete. Si e shihni këtë dhe si e komentoni faktin që dy liderët, siç ka thënë z. Kurti, as nuk kanë komunikim me njëri-tjetrin e ai madje as nuk e pranon praninë e presidentit Thaçi?
Kosnett: Nuk kam asnjë dyshim se z. Kurti, kur të bëhet kryeministër do të ndërtojë një marrëdhënie profesionale dhe konstruktive me presidentin Thaçi. Kryeministri dhe Presidenti duhet të punojnë së bashku për të mirën e vendit. Dhe, kjo është një mundësi për mua të theksoj se mendoj që partitë që janë në opozitë, kanë rol të rëndësishëm për të mirën e vendit. Puna e tyre nuk duhet të jetë pengimi i Qeverisë, por duhet të gjejnë hapësirë për bashkëpunim me Qeverinë për të mirën e qytetarëve. Kjo nuk do të thotë se opozita duhet verbërisht ta ndjekë Qeverinë, por ata duhet të punojnë së bashku dhe të krijojnë konsensus në mënyrë konstruktive. Kështu që unë nuk jam i brengosur që presidenti nuk do të mund të punojë me kryeministrin. Në lidhje me dialogun, çfarë kam thënë edhe më parë është se puna që është bërë deri tani mes Presidentit Thaçi dhe Presidentit Vuçiq nuk duhet të injorohet dhe të hidhet anash.
Dua të them, nëse ata kanë pasur bisedime të frytshme dhe kanë bërë progres në disa cështje, atëherë Qeveria duhet t’i marrë parasysh ato dhe të bëjë llogaritë para se të ecën përpara. Unë gjithashtu mendoj se është e rëndësishme që Qeveria t’i marrë parasysh qëndrimet e një mase të gjerë të qytetarëve të Kosovës. Jo vetëm të partive politike, por edhe të shoqërisë civile, organizatave, qytetarëve të rëndomtë. Të jenë të sigurt se e kuptojnë se çka duan të gjithë qytetarët e Kosovës në përmirësim të raporteve me Serbinë dhe shtetet tjera fqinje, gjithashtu. Për shembull, unë besoj fuqishëm që Kosova duhet të jetë një pjesëmarrës aktiv në nismën e fundit të quajtur mini-Shengen. Shumë njerëz në
Kosovë nuk pëlqejnë atë që po dëgjojnë për mini-Shengenin, por përgjigjja ime për këtë është: dërgojeni një delegacion në takimin e ardhshëm. Vendosni në tavolinë qëndrimet tuaja dhe ti jepni formë procesit e jo vetëm ta injoroni atësepse mendoj që shtetet e tjera në rajon e dinë që nuk mund të krijojnë ekonomi rajonale dhe paqe rajonale, duke e injoruar ndonjë shtet të regjionit.
Gazeta Express: Ju keni kërkuar që të rinis dialogu me Serbinë, por a kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës një afat kur sipas juve duhet të arrihet përfundimisht marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë?
Kosnett: Ne do të donim të shihnim dy qeveritë në vijën e fillimit sa më shpejt që është e mundur, sa të formohet qeveria e Kosovës. Dhe pastaj ne duam t’i shohim ato duke arritur në vijën e cakut. Çka dua të them është se ne duam që ky proces të mund ta prodhojë një marrëveshje të qëndrueshme, që kënaq popujt e dy shteteve, jo vetëm udhëheqësit politikë, por pra që është e pranueshme për qytetarët e dy vendeve. E kjo do të marrë kohë.
Nuk do të të jap një afat artificial. Unë mendoj se është i mundshëm gjatë 2020-ës dhe administrata e tanishme e SHBA-së është e angazhuar të përkrahë këtë proces, ne jemi të angazhuar për paqe, drejtësi dhe prosperitet për të gjithë në Ballkan. Unë nuk mund të them se do të vazhdojë të zgjasë ky intensitet i interesimit të SHBA-së, por e di se kjo është një mundësi që nuk duhet të humbasë. Dhe miqtë tanë të Bashkimit Evropian janë po ashtu të angazhuar në këtë proces.
Unë mendoj se vonesa në dialog nuk ka qenë benefit për Kosovën. Nuk e ka ndihmuar shtetin ekonomikisht. E kemi problemin me tërheqje të njohjes së Kosovës. Kosova nuk është duke shkuar në drejtimin e duhur. Dhe mendoj se përmirësimi i raporteve me Serbinë dhe me fqinjtë e tjerë do të krijojë kushte për prosperitet dhe mundësi për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Gazeta Express: Ideja e korrigjimit të kufijve. A kanë bërë ndonjë lider, e kur po them lider, mendoj në z. Vuçiq dhe z. Thaçi, a kanë dhënë ata ndonjë propozim zyrtar te ndonjë zyrtar amerikan ose te administrata amerikane lidhur me ndryshimet e kufijve? Sepse ka pasur aq shumë bisedime, por askush nuk e di se për çka kanë biseduar.
Kosnett:
Unë kurrë nuk kam parë ndonjë propozim formal për marrëveshje gjithëpërfshirëse ose për shkëmbim të tokës. Më lejoni t’u kujtojë lexuesve tuaj se qëndrimi i SHBA-së për territorin ka qenë se ne nuk duam të ndalim negociatorët nga dy palët, nga Kosova dhe Serbia, nga diskutimi për çështje të ndryshme.
Ne kurrë nuk jemi shtyrë aktivisht për ndonjë shkëmbim territoresh. Ne kemi thënë se nëse ka ndonjë marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë dhe ata negociojnë për ndonjë ndryshim kufijsh ose shkëmbim territoresh, në atë kontekst, ne do ta shikonim atë. Nuk do ta përjashtonim atë menjëherë. Nuk është qëndrimi ynë të përjashtojmë aty për aty.
Disa njerëz e kanë interpretuar këtë sikur amerikanë aktivisht e kanë shtyrë idenë e shkëmbimit të territoreve, gjë që kurrë nuk ka qenë e vërtetë.
Gjithashtu, do të kthehem te këndvështrimi im i mëhershëm: çfarëdo marrëveshje gjithëpërfshirëse duhet të jetë e pranueshme për popujt, jo vetëm për liderët politikë. Dhe është e dukshme që ka shumë pak përkrahje në Kosovë për ndryshime të mëdha kufijsh, pika e fundit aty është se nëse në kuadër të…
Gazeta Express: Çfarë nënkuptoni me “ndryshime të mëdha të kufijve”?
Kosnett: E dini, ka pasur fjalë për për shkëmbime dramatike të popullsive, rivizatim të hartës. Çka më duhet të them është se nëse në kuadër të negociatave për të gjitha çështjet e ndryshme që dy shtetet duhet të bisedojnë; tregtia, investimet, bashkëpunimi në çështjet e zbatimit të ligjit, hetimet, siguria.. në kuadër të këtyre bisedimeve të gjera, nëse Kosova dhe Serbia pajtohen të flasin edhe për shënimin e kufijve, për ndryshime shumë të vogla, ne nuk do të themi prerazi jo, ju nuk mund të flisni për këtë. Palët janë aty për të diskutuar.
Por, mendoj që e gjitha ajo që është folur viteve të fundit për shkëmbim masive të popullatës dhe territorit, është e qartë se kjo është çështje që askush në këtë shtet nuk e përkrah dhe kjo është bërë shkatërruese nga diskutimi për gjëra pozitive që do të përmirësonin raportet me Serbinë.