Italia pritet të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, pas përmbytjeve të një ditë më parë, të cilat dëmtuan rëndë qytetin historik të Venecias.
Kryeministri italian Conte, që ishte për inspektim në Venecia, deklaroi se “përmbytjet ishin një goditje në zemrën e vendit tonë”.
Uji që vërshoi në Venecian historike ka shkaktuar dëme që llogariten në qindra milionë euro.
Vetëm në Bazilikën e Shën Markut, dëmet llogariten në dhjetëra milionë euro dhe të pariparueshme, pasi bëhet fjalë për një pasuri të jashtëzakonshme kulturore.
Kryepeshkopi i Venecias, Francesco Moraglia, tha që kisha kishte pësuar ‘dëme të pariparueshme’.
Venecia është një ndër qytetet më të vizituar në botë nga turistët, por qyteti rrezikon seriozisht të zhduket nga përmbytjet dhe ngritja e nivelit të ujit në det.