Raul Teitelbaum, një nga gazetarët më të njohur veteranë të Izraelit dhe një i mbijetuar i Holokaustit, ka ndërruar jetë në Jerusalem, në moshën 94-vjeçare.
Ai lindi në Prizren, në familjen e vetme hebreje të qytetit në atë kohë, pranë kufirit me Shqipërinë. Babai i tij, Joseph Teitelbaum, një adhurues i shahut, ia vendosi emrin Raul sipas kampionit botëror të shahut José Raul Capablanca.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, familja Teitelbaum u internua në kampin famëkeq të përqendrimit Bergen-Belsen. Në prag të çlirimit të kampit nga britanikët, familja u transferua me trenin e fundit drejt Gjermanisë qendrore. Më 23 prill 1945, rojet gjermane u larguan dhe familja u shpëtua nga kalorësia ruse.
Pas Holokaustit, Raul studioi në Beograd dhe u angazhua në organizatat rinore komuniste. Në vitin 1949, nën insistimin e nënës së tij, e cila kishte familjarë në Izrael, familja emigroi në Izrael.
Në Izrael ai shërbeu në Korpusin e Artilerisë dhe më vonë në rezervë. Me humor, ai shpesh thoshte:
“Kam qenë komunisti me gradën më të lartë në ushtrinë izraelite.”
Për 12 vite, Raul Teitelbaum punoi në gazetën e partisë komuniste “Kol Ha’am”, si gazetar ekonomik dhe korrespondent në Knesset. Ai ishte madje kandidat për deputet nga radhët e partisë Maki dhe raportonte gjithashtu për media në Beograd.
Pas mbylljes së “Kol Ha’am”, ai iu bashkua gazetës prestigjioze “Yediot Aharonot”, ku për rreth 30 vite punoi si korrespondent ekonomik dhe parlamentar.
Nën pseudonimin “Israel Tomer”, Teitelbaum publikoi qindra artikuj, investigime dhe analiza ekonomike, sociale e politike. Ai ishte gjithashtu komentator në programe radiofonike dhe më vonë korrespondent i gazetës në Gjermani.
Për shumë vite ai drejtoi Komisionin e Etikës së Shoqatës së Gazetarëve dhe botoi disa libra mbi Holokaustin. Në vitin 2018, ai mbajti një fjalim përkujtimor në ceremoninë zyrtare të Ditës së Kujtesës së Holokaustit në Yad Vashem.
Raul Teitelbaum ishte i martuar me bashkëshorten e tij Aliza për 60 vite dhe la pas dy vajza, Anat dhe Iris.
Ceremonia e varrimit u mbajt të enjten, më, në mesditë, në Kibbutz Yad Hana.














