Shkruan Rasim Smajlaj
Në një Kosovë me rreth 1.6 milionë banorë, sipas statistikave jozyrtare thuhet se mbi 50 mijë fëmijë janë në spektrin autik.
Nëse kjo shifër është e përafërt, atëherë bëhet fjalë për mbi 3% të popullsisë së vendit.
Por kur kësaj i shtohen prindërit, familjarët dhe njerëzit që jetojnë çdo ditë me këtë sfidë, atëherë flasim për mbi 100 mijë votues që ndihen të harruar, të anashkaluar dhe pa zë.
Dhe pyetja lind vetvetiu:
PSE HESHT POLITIKA?
Si ka mundësi që për kaq shumë familje nuk ka debat serioz?
Si ka mundësi që në çdo fushatë dëgjojmë premtime për luks, asfalt e poste politike, por shumë rrallë dëgjojmë dikë të flasë për fëmijët me autizëm?
Sepse politika shpesh kalkulon vetëm për interesin e vet.
Në matematikën reale elektorale, çdo parti që do të merrej seriozisht me këtë kategori, do ta kalonte pragun pa problem.
Sepse këto familje nuk kërkojnë luks.
Kërkojnë mbështetje.
Kërkojnë terapi.
Kërkojnë dinjitet.
LE TA SHOHIM EDHE FINANCIARISHT!
Një fëmijë me terapi të vazhdueshme kushton mesatarisht mbi 600 euro në muaj.
50,000 fëmijë × 600 euro = mbi 30 MILIONË EURO në muaj.
Pra:
mbi 360 MILIONË EURO në vit dalin nga xhepi i qytetarëve,nga prindër që shpesh detyrohen të marrin kredi,të shesin pasuri,ose të heqin dorë nga shumë gjëra bazike vetëm për t’i siguruar terapi fëmijës së tyre.
Dhe tragjedia më e madhe është se shumë familje nuk ia dalin dot.
Shumë fëmijë mbesin pa trajtim të duhur vetëm sepse terapia është bërë privilegj për ata që kanë para.
A DUHET TË NGRITET ZËRI?
PO.
Sepse këta fëmijë nuk janë statistikë.
Janë jetë.
Janë e ardhmja jonë.
A duhet të krijohet një fond shtetëror për fëmijët me autizëm?
PO.
A duhet shteti të subvencionojë terapitë?
PO.
A duhet të ketë më shumë qendra profesionale, mbështetje për prindërit dhe përfshirje reale institucionale?
PATJETËR.
Sepse një shoqëri nuk matet me fjalimet e politikanëve, por me mënyrën se si i trajton më të pambrojturit.
Dhe sot, mijëra familje në Kosovë po ndihen të vetmuara në betejën më të vështirë të jetës së tyre.
Koha është që dikush ta ngrejë zërin.
Jo nesër.
Sot.
#Qendra për Autizëm ‘Spektri’ në Gjakovë.














