• Ballina
  • Lajme
  • Ekonomia
  • Sport
  • Kulture
  • Kuriozitet
  • Lifestyle
  • Boll Marre
  • Bujqesi
No Result
View All Result
  • Ballina
  • Lajme
  • Ekonomia
  • Sport
  • Kulture
  • Kuriozitet
  • Lifestyle
  • Boll Marre
  • Bujqesi
No Result
View All Result

Martin Berisha: Flaka e Janarit, e ngriti në këmbë kombin shqiptar

19/01/2026 - 18:04:08
Martin Berisha: Flaka e Janarit, e ngriti në këmbë  kombin shqiptar

Me rastin e 44-vjetorit të rënies heroike të Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Kroaci, Martin Berisha, mbajti një fjalim të fuqishëm përkujtimor në “Novinarski dom” në Zagreb, duke theksuar se Flaka e Janarit nuk është thjesht një ritual përkujtimor, por një thirrje e vazhdueshme për përgjegjësi kombëtare.

Në prani të Ambasadore­s së Shqipërisë në Kroaci, Donika Hoxha, përfaqësuesve të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kroacisë, Unionit të Shqiptarëve në Kroaci dhe mërgatës shqiptare, Berisha deklaroi se atentati ndaj tre veprimtarëve nuk ishte vrasje e individëve, por përpjekje për të vrarë një ide.

Lexo më shumë

E publikoj skandalin në Policinë e Pejës, me 186 raste të fshehura, penalizohet drejtori

E publikoj skandalin në Policinë e Pejës, me 186 raste të fshehura, penalizohet drejtori

January 13, 2026
3.1k
Foto/ Këta janë tre të dyshuarit për plagosjen dhe rrahjen e Jeton Buqukut në Pejë

Foto/ Këta janë tre të dyshuarit për plagosjen dhe rrahjen e Jeton Buqukut në Pejë

January 12, 2026
141

“Janari është muaji kur armiku mendoi se duke vrarë njerëz do të vriste idenë. Por gaboi. Ideja jetoi dhe Kosova sot është Republikë”, theksoi ai.

Ambasadori Berisha vlerësoi Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën si pararojë të mendimit të lirë, organizimit politik dhe rezistencës shqiptare në mërgim, duke nënvizuar se pa veprën e tyre, rruga drejt Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk do të kishte kuptim historik.

Duke folur për rolin e diasporës, Berisha theksoi se mërgimi shqiptar nuk lindi nga komoditeti, por nga dhuna, diskriminimi dhe shtypja, ndërsa liria e fituar jashtë atdheut u shndërrua në mision kombëtar.

“Diaspora nuk na e mori atdheun nga zemra, por e zgjeroi atdheun nëpër botë”, tha ai, duke e cilësuar diasporën shqiptare si fuqi morale dhe politike të pazëvendësueshme në procesin e lirisë.

Në fjalimin e tij, Berisha u ndal veçanërisht te figura e Jusuf Gërvallës, duke e përshkruar si simbol të bashkimit të gazetarisë, artit, kulturës dhe angazhimit politik, si dhe te Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, të cilët i cilësoi si shtylla morale dhe strategjike të rezistencës shqiptare në mërgim.

Sipas tij, eliminimi fizik i tyre nga UDB-ja nuk e ndali historinë, por e përshpejtoi organizimin e diasporës, protestat, rezistencën popullore dhe më pas lindjen e UÇK-së.

luaj me mokneluaj me mokneluaj me mokne

“Kosova sot është Republikë, por kjo Republikë është amanet. Amanet i atyre që u vranë në mërgim, i atyre që u burgosën dhe i atyre që dhanë jetën për liri”, theksoi Berisha.

Në fund të fjalimit, Ambasadori i Kosovës në Kroaci apeloi që Flaka e Janarit të mos shuhet në fjalë, por të mbetet e gjallë në qëndrime dhe veprime, duke e cilësuar kujtesën aktive si kusht për mbijetesën e kombit.

Ceremonia përfundoi me nderime për Jusuf Gërvallën, Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën, duke riafirmuar rolin e tyre si masë morale dhe themel historik i shtetit të Kosovës.

Ky është fjalimi i plotë:

FJALIM RASTI – NË PËRKUJTIM TË FLAKËS SË JANARIT
(i mbajtur nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë,me rastin e 44-vjetorit të rënies heroike të Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës.
Zagreb, 17.01.2026 (Novinarski dom)

E nderuara Ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kroacisë znj. Donika Hoxha,

E nderuara Këshilltare e Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Europiane të Kroacisë, znj. Ermina Lekaj Përlaskaj,
I nderuar z. Esad Çollaku , kryetar i Unionit Shqiptarë në Kroaci,
Të dashur bashkatdhetarë,
Të nderuar të pranishëm,

Sonte nuk kam ardhur këtu para jush të flas vetëm si ambasador i Kosovës . Sonte kam ardhur si shqiptar që mban barrën e kujtesës. Flaka e Janarit nuk është ceremoni. Është zjarr që na vë në provë. Na pyet nëse jemi të denjë për ata që u vranë sepse nuk pranuan të heshtnin. Janari është muaji kur armiku mendoi se duke vrarë njerëz, do të vriste idenë. Por gaboi!

Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka nuk u vranë sepse ishin të pafuqishëm, por sepse ishin të rrezikshëm për një sistem që ushqehej me frikë. Ata ishin pararojë; pararojë e mendimit të lirë; pararojë e organizimit politik.

Pararojë e asaj që më vonë u quajt Ushtria Çlirimtare e Kosovës.Ata nuk e nisën luftën me armë, por pa ta, armët nuk do të kishin kuptim. Kosova Republikë nuk lindi rastësisht. Ajo u konceptua, u mendua dhe u pagua me jetë shumë përpara se të shpallej.

Të dashur shqiptarë në Kroaci.

Ju jetoni sot në mërgim, ashtu si jetuan ata. Por ndryshe nga ta, ju jetoni në liri. Dhe kjo liri ka përmbajtje. Flaka e Janarit nuk na lejon të jemi indiferentë, as të relativizojmë sakrificën, as ta shndërrojmë historinë në dekor.

Si ambasador, por mbi të gjitha si shqiptar, ju them: kombet nuk mbijetojnë me harresë, por me kujtesë aktive dhe guxim moral. Le të mos e lëmë Flakën e Janarit të shuhet në fjalë. Ta mbajmë gjallë në qëndrime.

Ka fjalime që mbahen për të shënuar një datë. Ka fjalime që mbahen për të përmbushur një protokoll. Dhe ka fjalime që mbahen sepse heshtja do të ishte mëkat historik. Sonte jemi këtu për këtë arsye të tretë. Sepse 44 vjet më parë nuk u vranë vetëm tre njerëz. U tentua të vritej një ide.

U tentua të pritej një vijë vazhdimësie historike. U tentua të frikësohej një komb i tërë, në mërgim dhe në atdhe. Sonte, këtu në Kroaci, përballë diasporës shqiptare, ne nuk jemi mbledhur për të qarë.

Jemi mbledhur për të dëshmuar se atentati dështoi. Sepse ideja jetoi. Sepse kombi nuk u thye. Sepse Kosova sot është Republikë.

Diaspora shqiptare nuk lindi nga komoditeti. Ajo lindi nga dhuna. Nga diskriminimi.

Nga burgjet. Nga varfëria e imponuar. Nga ndalimi i gjuhës, i flamurit, i dinjitetit.

Shqiptari nuk u largua sepse donte. U largua sepse duhej të mbijetonte. Por historia jonë ka një veçori të rrallë: mërgimi nuk na e mori atdheun nga zemra – e zgjeroi atdheun nëpër botë.

Në Gjermani, Zvicër, Amerikë, Kroaci e gjetkë, shqiptari nuk e mbylli plagën – e shndërroi në mision. Nga kjo lindi diaspora si fuqi morale dhe politike. Dhe pikërisht këtu hyn historia e tre burrave që sot i përkujtojmë.

Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka nuk ishin thjesht mërgimtarë aktivë.

Ata ishin ndërgjegjja e organizuar e diasporës shqiptare. Ata e kuptuan diçka që shumë të tjerë ende nuk e kuptonin: se liria nuk fitohet vetëm në vendin ku je i shtypur, por edhe në vendin ku je i lirë – nëse e përdor lirinë si armë morale. Ata e kthyen mërgimin nga pritje pasive në rezistencë aktive.

Prandaj u vranë. Asgjë nuk fillon pa rrënjë. Mendja dhe vepra e këtyre burrave u formësua në valët e mëdha të rezistencës popullore.

Demonstratat e vitit 1968 ishin momenti kur shqiptari e provoi për herë të parë fuqinë e zërit kolektiv. Ato ishin shkolla e parë e mosbindjes. Aty u mësua se frika thyhet kur ndahet.

Demonstratat e vitit 1981 ishin momenti kur ky zë u bë program politik. Aty nuk u kërkua më vetëm barazi. Aty u kërkua subjektivitet politik.

Aty u tha hapur: Kosova Republikë. Këto demonstrata ishin tharmi ideor, moral dhe politik i asaj që do të vinte më pas. Dhe nga ky tharm dolën këta tre burra – jo si rastësi, por si nevojë historike.

Le të ndalemi më gjatë te Jusufi. Sepse Jusufi ishte shumëçka në një trup të vetëm.

Ai ishte gazetar – dhe për këtë arsye e dinte se e vërteta është kërcënim për diktaturën. Ai ishte artist – dhe për këtë arsye e dinte se kultura është rezistencë afatgjatë. Ai ishte këngëtar – dhe për këtë arsye e dinte se populli zgjohet edhe me zë, jo vetëm me armë.

Ai ishte poliglot – dhe për këtë arsye e dinte se Kosova duhet t’i flasë botës me gjuhën e saj. Jusufi nuk i ndau këto role. Ai i bashkoi. Ai e bëri gazetarinë akt guximi. Artin – akt politik. Këngën – betim kombëtar. Gjuhët e huaja – ura drejt Evropës. Në mërgim, ai nuk u tret.

Ai u bë qendër gravitacioni. Rreth tij u mblodhën shqiptarë që nuk donin më vetëm të mbijetonin donin të vepronin. Ai e bashkoi diasporën jo rreth nostalgjisë, por rreth përgjegjësisë historike. Prandaj ishte i rrezikshëm. Prandaj u vra.

Bardhosh Gërvalla ishte forca morale që nuk kërkonte duartrokitje.Ai ishte besnikëria ndaj ideales edhe kur çmimi ishte jeta.

Kadri Zeka ishte mendja strategjike. Ai e shihte Kosovën si Republikë jo si ëndërr, por si projekt politik të realizueshëm. Së bashku me Jusufin, ata formuan trinomën e rezistencës shqiptare në mërgim: fjalë – organizim – vizion.

Kjo ishte arsyeja pse UDB-ja i eliminoi fizikisht. Por kjo ishte edhe arsyeja pse nuk i mundi dot historikisht.
Pas vrasjes së tyre, historia nuk u ndal. Diaspora nuk u frikësua.

U organizua më shumë. Minatorët e Trepçës e kthyen trupin në barrikadë morale. Studentët e kthyen dijen në revoltë.

Burgjet u mbushën, por ndërgjegjja u çlirua. Dhe kur fjala nuk mjaftonte më, kur represioni u bë gjenocidal, lindi Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

UÇK-ja ishte kulmi logjik i një historie të gjatë rezistence. Pa mendimin politik, ajo nuk do të kishte legjitimitet. Pa diasporën, ajo nuk do të kishte forcë. Pa sakrificën, ajo nuk do të kishte fitore.

Sot, Kosova është Republikë. Por kjo Republikë nuk është thjesht institucion. Është amanet!
Amanet i atyre që u vranë në mërgim. Amanet i atyre që u burgosën në Prishtinë. Amanet i atyre që ,e gjakun e tyre e lanë Kosovën.

Si Ambasador i Republikës së Kosovës në Kroaci, e them me bindje të plotë: diaspora shqiptare është bashkautore e shtetit tonë. Pa ju, historia do të ishte më e varfër. Pa ju, rezistenca do të ishte më e dobët. Pa ju, liria do të ishte më e largët.

Flaka e Janarit nuk na lejon të harrojmë. Ajo na pyet çdo vit: A jemi të denjë për gjakun? A e ruajmë Republikën si vlerë apo si rutinë? A e përdorim lirinë për të ndërtuar apo për ta harxhuar? Jusuf Gërvalla. Bardhosh Gërvalla. Kadri Zeka. Këta nuk janë vetëm emra. Janë masë morale.
Dhe le të mbetet Flaka e Janarit e ndezur – sepse ajo nuk djeg të kaluarën, por ndriçon të ardhmen.

Lavdi përjetë e mot, Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës!

Atyre u shëndritë drita e pambarueme dhe pushofshin në paqë të amshueme!

#MPJD
#unioniishqiptareve
#erminalekaj
#ambasadaekosoves

ShareTweetSendShareSend

Related Posts

E publikoj skandalin në Policinë e Pejës, me 186 raste të fshehura, penalizohet drejtori
Lajme

E publikoj skandalin në Policinë e Pejës, me 186 raste të fshehura, penalizohet drejtori

January 13, 2026
3.1k
Foto/ Këta janë tre të dyshuarit për plagosjen dhe rrahjen e Jeton Buqukut në Pejë
Lajme

Foto/ Këta janë tre të dyshuarit për plagosjen dhe rrahjen e Jeton Buqukut në Pejë

January 12, 2026
141
Rutte me fjalë të mëdha për Trumpin: Punë të duhura për NATO-n
Bota

Rutte me fjalë të mëdha për Trumpin: Punë të duhura për NATO-n

January 12, 2026
33
Shtërpcë/ Një grua dyshohet se e ka helmuar me zhivë burrin e saj
Lajme

Ja sa persona u vranë për 26 vite në Pejë

January 12, 2026
127
Tafilaj: Politika në Kosovë po e mbulon me zhurmë të vërtetën nga populli
Lajme

Tafilaj: Politika në Kosovë po e mbulon me zhurmë të vërtetën nga populli

December 25, 2025
55
Ja kur do të ulet çmimi i naftës në Kosovë
Ekonomia

Caktohet marzha e fitimit për naftëtarët

December 21, 2025
14

Më të fundit

  • Martin Berisha: Flaka e Janarit, e ngriti në këmbë kombin shqiptar
  • E publikoj skandalin në Policinë e Pejës, me 186 raste të fshehura, penalizohet drejtori
  • Foto/ Këta janë tre të dyshuarit për plagosjen dhe rrahjen e Jeton Buqukut në Pejë
TermokosTermokosTermokos
Your browser does not support the video tag.

Ky portal mirëmbahet nga kompania “Telegramisot.info” e themeluar në vitin 2018. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Telegramisot.info“. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit.

telegramisott@gmail.com

Categories

  • Auto & Tech
  • Basketboll
  • Boll Marre
  • Bota
  • Bujqesi
  • Ekonomia
  • Film
  • Futboll
  • Këshilla dhe Zbulime Mjekësore
  • Kosova
  • Kronika e Zezë
  • Kulture
  • Kuriozitet
  • Lajme
  • Lifestyle
  • Moda
  • Muzikë
  • Opinione
  • Shëndet
  • Showbiz
  • Shqiperi
  • Sport
  • Të tjera
No Result
View All Result
  • Ballina
  • Lajme
  • Ekonomia
  • Sport
  • Kulture
  • Kuriozitet
  • Lifestyle
  • Boll Marre
  • Bujqesi