28 Nëntori është data që i bashkon të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.
Është dita e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 dhe njëherazi dita që ngërthen në vete tërë sakrificat e një kombi, i cili gjatë dy shekujve të fundit ka kaluar stuhitë më të mëdha politike në Ballkan, por ka ditur të mbijetojë, të ringrihet dhe të ruajë identitetin e vet.
Nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit më 1878, te shpërbërja e Perandorisë Osmane, te shpallja e Pavarësisë më 1912, e deri te luftërat ballkanike dhe ndarja e trojeve shqiptare, historia jonë është një dëshmi se si një popull i vogël ka luftuar për të drejtat e tij në një rajon të trazuar.
Në vitin 1913, Konferenca e Ambasadorëve në Londër vendosi kufij që lanë jashtë Shqipërisë më shumë se gjysmën e territorit dhe të popullsisë shqiptare – vendim që do të përcaktonte fatin politik të kombit për dekada të tëra.
Pikërisht këtu fillon edhe kapitulli i dhimbshëm i Kosovës, e cila mbeti jashtë kufijve të shtetit shqiptar, pavarësisht shumicës absolute shqiptare dhe dëshirës së dokumentuar të popullit të saj për bashkim kombëtar.
Ky akt gjeopolitik u pasua nga represionet, shpërnguljet, mohimi i të drejtave elementare dhe përpjekjet e vazhdueshme për ta zbehur identitetin shqiptar në Kosovë.
Shekulli XX e gjeti Kosovën në një rrugë të gjatë rezistence, e cila kulmoi me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, bombardimet e NATO-s më 1999 dhe shpalljen e Pavarësisë më 17 shkurt 2008.
Kosova u bë shteti më i ri i Europës pas një sakrifice të jashtëzakonshme, duke dëshmuar se aspirata për liri nuk shuhet nga dhuna, padrejtësia apo vendimet arbitrare të fuqive të mëdha.
Sot, pas më shumë se një dekade shtetësi, Kosova vazhdon procesin e forcimit të institucioneve, konsolidimit ndërkombëtar dhe përballjes me sfida të reja gjeopolitike, por gjithnjë duke ruajtur orientimin euro-atlantik.
Dy shtete shqiptare në Ballkan – realitet i ri politik
Për herë të parë në histori, shqiptarët në Ballkan kanë dy shtete funksionale – Shqipërinë dhe Kosovën. Kjo nuk është thjesht një rrethanë politike, por një aset strategjik për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin në rajon.
Dy shtetet shqiptare kanë potencialin:
* të koordinojnë politikat e jashtme në raport me sfidat rajonale;
* të harmonizojnë ekonomitë dhe tregjet;
* të ndërtojnë një hapësirë të përbashkët kulturore e arsimore;
* të forcojnë sigurinë përmes partneritetit dhe bashkëpunimit strategjik;
Ky bashkërendim nuk cenon askënd – përkundrazi, ai kontribuon në një Ballkan më stabil, më të integruar dhe më europian.
Nëse dikur mbijetesa e kombit shqiptar varej nga pushka, sot qendresën e përcaktojnë:
Shtetet e forta dhe institucionet funksionale
Shqipëria dhe Kosova duhet të rrisin kapacitetet e brendshme, të luftojnë korrupsionin dhe të ndërtojnë një administratë moderne.
Integrimi europian
Shqipëria ka hapur negociatat, ndërsa Kosova po ecën drejt liberalizimit të plotë të lëvizjes dhe afrim me proceset euro-atlantike.
Integrimi është garancia më e mirë kundër çdo projekti destabilizues në rajon.
Uniteti kombëtar
dhe bashkëpunimi ndërshqiptar
Bashkëpunimi kulturor, ekonomik dhe politik mes dy shteteve shqiptare duhet të jetë i përhershëm, jo sezonal. Vetëm një lidhje e qëndrueshme, e sinqertë dhe e bazuar në interes kombëtar mund t’i bëjë shqiptarët të pathyeshëm.
Roli i Diasporës
Diaspora Shqiptare, e përhapur në SHBA, Europë dhe më gjerë, është pasuria më e madhe e kombit. Investimet, lobimi, kultura dhe energjia e saj janë faktor kthese në zhvillim dhe në sigurinë kombëtare.














