Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona gjatë ditës së djeshme në Pejë. Ajo përmes rrugëve operative ka siguruar informacion se një i dyshuar, me datën 09.11.2019, në një lokal në Pejë, ka ekspozuar armën, pasi që i njëjti kishte pasur një mosmarrëveshje me disa persona.
Me të marrë informatën e lartcekur fillimisht është arrestuar i dyshuari i parë G. K., i lindur më 1984, m/k/sh, i cili menjëherë ka pranuar se në posedim kishte një armë, mirëpo të njëjtën armë ia ka dhënë për ta ruajtur i dyshuari i dytë A. V., i lindur më 2000 m/k/sh. Njësitet policore në bashkëpunim me prokurorin e Shtetit pas identifikimit të vendbanimit të të dyshuarit të dytë kanë shkuar te shtëpia e tij dhe pas kontrollit në dhomën e fjetjes kanë gjetur dhe kanë sekuestruar:
• një (1) armë të gjatë gjysmë automatike së bashku me dy (2) karikatorë
• një (1) pistoletë M-57, cal 7.62 mm së bashku me një (1) karikator
• gjashtëqind e nëntëdhjetë e dy (692) fishekë të cal.7.62×39 mm
• njëzet e një (21) fishekë të cal.7.62×25 mm
• dhjetë (10) fishekë të armës me gas
Të dyshuarve me urdhër të prokurorit të shtetit u është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh.