Dokumente belge dhe dëshmi të ish-oficerëve të shërbimeve sekrete serbe zbulojnë detaje tronditëse për një seri atentatesh të planifikuara ndaj figurave të njohura të emigracionit kosovar në Evropë, shkruhet në librin “VIXERE” i autorit SRĐAN CVIJIĆ “Vrasjet e UDBES në zemër të Evropes”, shkruan TelegramiSot.


Sipas rrëfimeve të Bozidar Spasiq, ish-oficer i Shërbimit Sekret Jugosllav (DB), atentatet ndaj Enver Hadrit, Xhavit Halitit dhe Xhafër Shatrit dhe Emil Fazlia ishin pjesë e një operacioni të koduar “Lasiça koja govori”
“Sulmi në Cyrih ndaj Xhavit Halitit”
Vendimin që të vriten Enver Hadri, Xhafer Shatri, Xhavit Haliti dhe Emil Fazlia, Spasiqi e sqaron (argumenton) si përgjigje në pjesëmarrjen e tyre nëkurthin (grackën) amerikan (aksioni në thonjëza “Dhelpra në lëvizje”) që të vritet prezidenti i atëhershëm i Serbisë, Sllobodan Millosheviqi.

Sipas shkrimit në libër, Shatri ka pasur për detyrë të tubojë dhe aftësojë(trajnojë) një grup “terroristësh” që do të duhej ta likuidonte Millosheviqin, Haliti të siguronte armët për vrasje, ndërsa Hadri ka qenë i ngarkuar me financimin e aksioneve, ka deklaruar Spasiq.
Për ta parandaluar këtë skenarë sherbimi sekret serb fillon planin për vrasje e Halitit, Shatrit, Hadrit, e Fazliut.
Dy mbrëmje pas tentativës për vrasjen e Xhafër Shatrit në Gjenevë, ndodhi atentati ndaj Xhavit Halitit në Cyrih.



Sipas dokumenteve belge që citojnë dëshmitë , autorët e sulmit ishin dy persona të njohur me nofkat “Shiki” dhe “Beli” – përkatësisht Branislav Matiq (Beli) dhe një bashkëpunëtor i tij i identifikuar si Shiki.
Spasiq, ka deklaruar se mori pjesë personalisht në përgatitjen e pajisjes shpërthyese që shpërtheu në derën hyrëse të banesës ku ndodheshin Haliti dhe disa miq shqiptarë.
Shpërthimi shkaktoi vetëm lëndime të lehta trupore, por dëshmoi për shtrirjen e rrjeteve të fshehta të shërbimeve jugosllave në Evropë.



Mbrojtja shtetërore për atentatorët
Në një proces gjyqësor në Beograd, në shtator të vitit 1990, Rashko Gjukiq, shef i repartit për kërkime pranë policisë së Beogradit, dëshmoi se ndaj Branislav Matiqit – “Beli” – ishte dhënë urdhër për të shtyrë arrestimin e tij.

Sipas Gjukiqit, kërkesa erdhi, me arsyetimin se Matiqi ishte “i nevojshëm për kryerjen e disa aksioneve të tjera” dhe se arrestimi do të bëhej vetëm pas përfundimit të tyre.
“Ne e dinim që Matiqi kishte dosje të rëndë kriminale,” deklaroi Gjukiq, “por urdhri ishte i qartë: duhej ta linim të lirë derisa të kryente misionet që i ishin ngarkuar.”
Spasiq: ‘Kishim miratim verbal për të eliminuar terroristët shqiptarë’
Në librin “VIXERE” i autorit SRĐAN CVIJIĆ “Vrasjet e UDBES në zemër të Evropes” Bozidar Spasiq përshkruan arsyet pse u kryen këto atentate.
Sipas tij, vrasjet e Enver Hadrit, Xhafër Shatrit, Xhavit Halitit dhe Emil Fazliut ishin “përgjigje ndaj një konspiracioni amerikan” që synonte eliminimin e atëhershëm të presidentit serb Sllobodan Millosheviq.
Spasiq pretendon se shërbimi federal jugosllav kishte marrë informacion se “aksioni kundër Millosheviqit” ishte miratuar si “urgjent”, por pa të dhëna konkrete për kohën apo ekzekutorët.
Ai thotë se kishte marrë miratim verbal nga ministri Petar Graçanin për të “vepruar me të gjitha mjetet ndaj terroristëve shqiptarë”, gjë që e shtyu të jepte urdhrin për nisjen e operacionit ‘Lasiça koja govori’.
“Tre djem të shkathët” për atentatet në Evropë”
Spasiq, tregon se për këtë operacion kishte angazhuar “tre djem të shkathët dhe patriotikisht të frymëzuar”:
Zoran Uskokoviq – Skoleta, i njohur më vonë si organizator i vrasjes së Arkanit, që më pas u vra nga klani i Zemunit në prill 2000;një person i quajtur Mirko, që humbi jetën në një aksident trafiku;dhe një agjent i DB-së të cilin Spasiq e drejtonte personalisht dhe “i kishte besim të plotë”.
Ai shton se kishte marrë pjesë vetë në transportimin ilegal të pajisjeve shpërthyese përmes kufirit jugosllavo-italian, të destinuara për atentatet ndaj figurave të emigracionit kosovar.
“Likuidimi i Enver Hadrit – pjesë e të njëjtit zinxhir”
Sipas Spasiqit, vrasja e Enver Hadrit ishte faza përfundimtare e këtij operacioni dhe ishte më pak e improvizuar, me përfshirjen e strukturave të larta të sigurimit shtetëror të Beogradit.
Ai e paraqet gjithë këtë seri atentatesh si pjesë të një strategjie për të neutralizuar ndikimin e shqiptarëve të Kosovës në Perëndim, të cilët regjimi i Millosheviqit i konsideronte “kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare të Serbisë”.
Veselin Vukotiqi dhe Andrija Drashkoviqi, së bashku me Bozhidar Spasiqin, janë dënuar me burgim të përjetshëm. Ndërkq Bozhidar Spasiq, ish-zyrtar i lartë i Shërbimit Sekret jugosllav nga Beogradi, nuk është ankuar ndaj vendimit të gjykatës , prandaj mbetet në fuqi dënimi me burgim të përjetshëm, i marrë në gjykimin e vitit 2016.

Enver Hadri ka qenë kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë. Në kohën kur është vrarë ka qenë duke mbledhur dokumente për të dëshmuar terrorin e regjimit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë.



Burimi: Dokumente arkivore belge, dëshmi gjyqësore në Beograd dhe libri “VIXERE” i autorit SRĐAN CVIJIĆ “Vrasjet e UDBES në zemër të Evropes”. Libri, “Lasiça koja govori” i Bozidar Spasiqit (2001). Shkruan TelegramiSot.















