Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin për krime lufte ndaj Millorad Gjokoviq, u dëgjua dëshmitari Florim Gashi, i cili pohoi se i akuzuari ishte në mesin e personave të uniformuar në Ozdrim të Pejës më 1999.
Sipas tij, më 7 maj 1999, Gjokoviqi është parë i veshur me uniformë policore dhe i armatosur, së bashku me disa pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe paraushtarake serbe, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në dëshminë e tij, Gashi përshkroi keqtrajtimet që ai dhe bashkëfshatarët e tij i kanë përjetuar nga forcat serbe në fshatin Ozdrim, më 6 dhe 7 maj të vitit 1999.
Sipas tij, ushtria serbe më 6 maj 1999, në orët e hershme të mëngjesit, hyri në fshat, hapi zjarr mbi shtëpitë, detyroi banorët të dilnin jashtë dhe më pas i bastisën, i rrahën dhe i torturuan.
Gashi tha se të gjithë civilët nga fshati më pas u dërguan te stacioni i policisë në Ozdrim, ku u keqtrajtuan dhe u mbajtën për tre ditë pa ushqim dhe pa ujë.
Pas kësaj, siç theksoi ai, të gjithë banorët u vendosën në një objekt ndihmës pranë stacionit të policisë.
“Tre ditë kemi qenë aty, pa ushqim e pa ujë. Torturat ishin të përditshme”, deklaroi dëshmitari, duke theksuar se më pas u transferuan në burgun e Pejës, e më vonë edhe në burgun e Leskocit, ku ai qëndroi për shtatë muaj.
Ai tha se edhe rojet e burgut nga Peja vazhduan me keqtrajtime fizike, ndërsa kushtet e jetesës ishin çnjerëzore.
Për më tepër, Florim Gashi deklaroi para gjykatës se vëllai i tij ishte vrarë nga forcat serbe, pasi kishte tentuar të ikte. Trupi i tij, siç theksoi Gashi, është marrë vetëm pas përfundimit të luftës.
Sa i përket identifikimit të pjesëmarrësve, ushtarëve dhe policëve, dëshmitari deklaroi se e njihte Milorad Gjokoviqin që para luftës, kur ky punonte si drejtor i Zyrës Lokale.
Në deklaratën e dhënë në Polici në vitin 2022, Gashi e kishte identifikuar Gjokoviqin si “Micko”, një nga burrat e uniformuar që kishin ardhur nga Vitomirica dhe kishin marrë pjesë në aksionet në Ozdrim.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 qershor 2023, Millorad Gjokoviq akuzohet se në vitet 1998-1999, në fshatin Ozdrim- Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyre mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë. Akuzohet edhe për plaçkitje, djegie dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.
Në aktakuzë thuhet se nga ana veriore e fshatit Ozdrim me rrugën regjionale Pejë – Mitrovicë, kishin hyrë ushtria e rregullt dhe në fund nga ana perëndimore e fshatit Ozdrim e cila kufizohet me fshatin Vitormiricë kishin hyrë grupet paramilitare të përzier edhe me pjesëtarë të njësiteve speciale ushtarake, filluan të shtinin me armë në drejtim të popullsisë civile me ç‘rast u vranë gjashtë civilë të nacionalitetit shqiptarë: I.K Sh.K, E.M, R.Sh, Z.Sh dhe M.H, ndërsa tre civilë të cilët u plagosen nga këto të shtëna: A.G, H.G dhe M.G, fillimisht u transportuan për në spitalin e Pejës e më pastaj u ekzekutuan dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë, si dhe pesë civil të nacionalitetit shqiptarë: R.K, Z.K, A.K, A.K, A.Sh u vranë gjatë ofensivës, por asnjëherë nuk u gjetën trupat e tyre prandaj ende figurojnë si të zhdukur.
Me këtë, Gjokoviq ngarkohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP i RSFJ-së”) si ligji në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.