Policia e Kosovës ka dhënë detaje në raportin 24 orësh për plagosjen që ndodhi mbrëmë në lagjen Emshir në Prishtinë.
Sipas këtij raporti, ngjarja ka ndodhur në orën 20 e 40 minuta.
Në njoftimin e policisë thuhet se viktima është plagosur nga dy të dyshuar.
“Prishtinë / 23.04.2025 – 20:40. Raportohet se viktima mashkull kosovar është plagosur me armë të zjarrit nga dy të dyshuar meshkuj kosovarë. Viktima është dërguar në QKUK për tretman mjekësor”, thuhet në njoftim.
Ndërsa mbrëmë, Drejtori i Klinikës Emergjente Naser Syla tha për Indeksonline se i plagosuri është duke e trajtuar në emergjencë dhe se gjendja e tij është stabile.
“Personi i plagosur është duke u trajtuar në Kliniken Emergjente dhe sapo t’i përfundojë trajtimet tek ne, do të transferohet në Ortopedi për ekzaminime të mëtutjeshme. Gjendja e tij është stabile ”, ka thënë Syla.
Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës Agron Borovci, ku njoftoi se policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ka identifikuar një person të dyshuar.
Lidhur me rastin, policia ka identifikuar një person të dyshuar, bëri të ditur zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Rreth orës 21:00 është raportuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën ”Rexhep Krasniqi” në Prishtinë. Nga informacionet e para bëhet e ditur për një person të plagosur, jashtë rrezikut për jetë, i cili po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor në QKUK. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ka identifikuar një person të dyshuar, si i implikuar në rastin në fjalë, përderisa po vijon punën hetimore me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, tha Borovci.
Personi i dyshuar për plagosjen me armë zjarri është identifikuar si Valton Sadiku.
Sipas të dhënave të deritanishme, ndaj Sadikut janë të hapura disa raste penale, përfshirë incidente me armë zjarri.
Ai dyshohet gjithashtu për një tentim vrasjeje në një rast të mëparshëm, ndërsa për organet e rendit konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë dhe me prirje të përsëritura kriminale.
I plagosuri i përket moshës rreth 25-vjeçare, ndërsa i dyshuari sipas policisë gjendet ende në arrati.