Pas dështimit për herë të dytë për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare të re të Kuvendit në seancën e sotme konstituive, vendi rrezikon të hyjë në krizë serioze institucionale ngjashëm me vitin 2014 dhe për një periudhë edhe në vitin 2017.
Kështu ka vlerësuar Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).
Ai ka thënë se pavarësisht miratimit unanim të raportit për verifikimin e mandateve të deputetëve të zgjedhur, mungesa e dorëheqjeve formale nga zyrtarët që tashmë janë zgjedhur deputet mbetet jashtëzakonisht problematike.
“Besoj se kalimi në hapin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit është me rëndësi, sado që situata e sotme tregoi që në radhë të parë nuk janë numrat e nevojshëm për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. Së dyti, u shpërfaq mungesa e vullnetit politik për të pasur më shumë diskutime dhe kompromise politike për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit edhe pse është përgjegjësi e secilit prej 120 deputetëve të Kuvendit që t’i kontribuojnë konstituimit të Kuvendit, pa dallim partiak. Është më se e qartë që LVV-ja, si fituese e zgjedhjeve, bart përgjegjësitë dhe barrën kryesore për të siguruar shumicën e nevojshme prej të paktën 61 votash”, tha Cakolli.
Cakolli thotë se dështimi i zgjedhjes së kryetarit të ri të Kuvendit rrezikon vendin të futet në krizë institucionale, pasi nuk mund të zgjidhet edhe qeveria e re.
“Në anën tjetër, edhe pse nuk ka përcaktim në rregulloren e punës, as në aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese se sa mund të zgjasë procedura, kjo nënkupton se në rast se nuk kemi marrëveshje politike, seancat e tilla të cilat mund të propozojnë kandidatët, por që nuk sigurojnë votat e nevojshme do të mund të mbahen çdo 48 orë më së largu. Përveç se mund të vijohet me propozimin e njëjtë, mund të propozohet secili prej 120 kandidatëve të tjerë, të cilët kanë mandatin e deputetit. Kjo nënkupton, se vendi rrezikon t’i futet një krize serioze institucionale ngjashëm me vitin 2014 dhe për një periudhë edhe në vitin 2017. Për pasojë, kjo nënkupton që asnjë prej afateve tjera për formimin e institucioneve, sidomos votimin e Qeverisë, nuk mund të fillojë të rrjedhë pa u përmbyllur konstituimi i plotë i Kuvendit, ku përfshihet zgjedhja e kryetarit, por edhe e pesë nënkryetarëve të Kuvendit”, ka thënë Cakolli.
Albulena Haxhiu nuk u votua sot për kryetare të re të Kuvendit pasi në dy tentime nuk mori votat e mjaftueshëm. Seanca e re është caktuar për ditën e hënë, në ora 15:00.
Kujtojmë, LVV doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe i takon si parti fituese të propozojë emrin për kryetar të Kuvendit, por ajo nuk i ka votat e nevojshme. /rtv21