Pas një fushate me akuza, përçmim dhe linçim politik, Vetëvendosje ka ndërruar pllakën! Nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca, u shfaq sot i butë si pambuku, pas ftesës që kryeministri në detyrë Albin Kurti i ka dërguar kreut të LDK-së Lumir Abdixhiku, për të diskutuar rreth formimit të institucioneve të reja.
Në deklaratën e tij pas takimit me partitë politike, Konjufca hodhi poshtë retorikën agresive të së kaluarës dhe tha se “politika nuk ndërtohet mbi urrejtje dhe dashuri, por mbi interesin e Kosovës”.
“Letra i është drejtuar vetëm LDK-së. Politika është me i kuptu interesat e Kosovës. Unë nuk e kam hallin te shprehjet e rënda të opozitës, ia zgjas dorën kujtdo”, tha Konjufca.
Deklarata vjen pas katër vitesh polarizim ekstrem, përçarje, linçime dhe përjashtim brutal të çdo zëri opozitar. Tash, kur VV gjendet para një realiteti të hidhur pa shumicë, bashkëpunimi u bë papritur virtyt i lartë politik.
Për shumëkënd, kjo “gjuhë bashkëpunimi” e Konjufcës është një sinjal i dëshpërimit dhe izolimit politik të VV-së, që tani, për herë të parë, ka nevojë reale për partnerë.
Nga “hajna e tradhtarë”, në “partnerë të interesit kombëtar” – skena politike po përjeton një kthesë që s’e priste askush, por që tregon një gjë të thjeshtë: kur nuk të del matematika, del fjala e ëmbël.